Kovaçevski sot mbledh në takim liderët e partive të koalicionit qeverisës

Kryeministri Dimitar Kovaçevski sot do të ketë takim të rregullt me ​​liderët e koalicionit qeveritar, ku do t’i informojë për vizitën në SHBA, mbështetjen e shprehur për vendin dhe reformat për vazhdimin e rrugës evropiane.

Në prag të takimit, Bordi Qendror i LSDM-së mbrëmë u bëri thirrje të gjithë aktorëve politik dhe social që të bashkohen rreth së ardhmes evropiane dhe të vazhdojnë rrugën evropiane.

“Partnerët tanë strategjikë, SHBA, e kuptojnë se sa e rëndësishme është në një kontekst kombëtar, rajonal dhe global që Maqedonia e Veriut të vazhdojë me integrimin evropian që tashmë e ka filluar. Në takimet, Blinken dhe Escobar pa mëdyshje konfirmuan se integrimi evropian i vendit është një proces i pakthyeshëm. Për këtë arsye ata shprehën shqetësimin për bllokimin e opozitës. Nëse nuk vazhdojmë rrugën europiane, nëse nuk hedhim hapat e mëtejshëm, integrimi europian do të ndalet dhe do të gjendemi sërish në një gjendje stagnimi si ai që kishim për 10 vjet deri në vitin 2016. Është shumë e rrezikshme për vendin tonë”, tha Kovaçevski.

Duke theksuar se nuk ka qenë e lehtë për të arritur deri këtu në vitet e kaluara, Kovaçevski theksoi se kjo është hera e parë që bllokada nuk ka ardhur nga jashtë, por, siç tha ai, nga brenda, nga shtëpia, nga opozita, e cila de facto sipas tij, është kundër të gjitha proceseve që e çojnë shtetin përpara.

Takimi i Kovaçevskit me partnerët e koalicionit qeverisës do të mbahet në Klubin e deputetëve dhe pas përfundimit të tij janë planifikuar deklarata për media, njoftojnë nga Qeveria.