Struga Trim & Lum javën që lamë pas, edhe zyrtarisht ngriti lartë trofeun e titullit kampion, që e kishte siguruar që dy xhiro para fundit të sezonit. Në xhiron e javës së 33-të, skuadra strugane mundi ish kampionët e FC Shkupit me shifrat 2:1, duke përmbyllur kështu sezonin më të suksesshëm në histori.
Numri një i skuadrës kampione, Mendi Qyra, në një prononcim ekskluziv për “indeks.mk” ka folur për gëzimin e struganëve, sfidat nëpër të cilat ata si klub kanë kaluar po edhe ambiciet që ka klubi në vazhdim, sepse është ende në garë për të fituar edhe Kupën e Maqedonisë.
Qyra ka thënë se rruga deri te suksesi nuk ka qenë fare e lehtë, por me punë e përkushtim po edhe me profesionalizëm arrihet çdo sukses.
Për fitimin e titullit kampion, Qyra ka falënderuar futbollistët për përkushtimin maksimal në fushë, trajnerin dhe të gjithë kryesinë e klubit të cilët punuan pa ndërprerje dhe pa lodhje e me plotë profesionalizëm e përkushtim.
Ai ka thënë se ky titull i bën krenarë të gjithë shqiptarët, sepse Struga Trim&Lum është ekip që përfaqëson të gjithë shqiptarët e Maqedonisë, po në veçanti struganët.
Mendi Qyra tha se ekipi i tij është gati të fitojë edhe Kupën e Maqedonisë të shtunën, kur edhe do të zhvillojnë ndeshjen finale kundër Makedonija GJ.P..
Qyra ka folur, e në të njëjtën kohë ka uruar edhe FC Shkupin po edhe Shkëndijën, të cilat kanë arritur të sigurojnë dalje në Evropë, por ka folur e ka uruar edhe klubet tjera shqiptare, Voska Sport dhe Gostivarin, që nga edicioni i ardhshëm do bëjnë gara në Ligën e Parë.