Në një sallë gjysmë të zbrazur, si pasojë e mungesës së deputetëve, filloi në seancë plenare diskutimi rreth propozim-ligjit për marrëdhënie pune, pjesë e pakos së ligjeve për ndërtimin e korridoreve.
Opozita dhe pushteti me mendime të ndara. Sipas VMRO-DPMNE-së, ky projekt-ligj është në kundërshtim me Kushtetutën dhe të drejtat e njeriut, pasi iu detyrohet punëtorëve të punojnë jashtë orarit. Nga pushteti kundërshtojnë duke thënë se me këtë projekt-ligj nuk i obligohet puna shtesë, por secili do të paguhet për aq sa ai vet do të dëshiron të punojë.
“Shkëlqimi i eurove i hijezoi të drejtat e punëtorëve dhe sot punëtorët i urdhëroni që të heqin dorë nga drejta e tyre kushtetuese. Sipas cilave interesa strategjike e detyroni qytetarin e Maqedonisë të punojë prej mëngjesi deri në errësirë? Ku janë vlerat evropiane, prej të cilave na mbetet vetëm flamuri evropian gjithkund ku nuk e ka vendin.”, – deklaroi Lilija Petkovska nga VMRO-DPMNE.
“Në nenin 117 thuhet se punëtori mundet të punojë jashtë orarit, nëse vet ai përzgjedh të bëjë këtë . Bëni dallimin mes asaj që patjetër të punojnë, për shkak se robërit e kanë të patjetërsueshme të punojnë, kurse punëtorët mund të bëjnë zgjedhjen e tyre se sa duan të punojnë.”, – theksoi Zhaklina Llazarevska nga LSDM.
Ndërkohë, në Komisionin për çështje evropiane ka vazhduar debati rreth projekt-ligjeve tjera, pjesë të kësaj pakoje. Edhe atje u përplasën deputetë të pushtetit dhe opozitës.
“Thoni se me këto propozim-ligje shkurtohen afatet e procedurave administrative, Ju i kapërceni procedurat administrative e nuk po i shkurtoni afatet. Nëse do të kishit qëllim fisnik për t’i shkurtuar afatet, të gjithë do të ishim pajtuar, por Ju i tejkaloni ato.”, – theksoi Dajanço Efimov nga VMRO-DPMNE.
“Pyetja kruciale është se a jemi apo nuk jemi për ndërtimin e korridorit 8 dhe 10-D. Gjithmonë mund të gjejmë arsye që të kundërshtojmë një propozim-ligj, gjithmonë mund të gjejmë miliona arsye për ndryshime ligjore, sado që të jetë e mirë. Jemi përballur me kritika të shumta që s’ka investime kapitale. Ja e kemi investimin më të madh kapital në historinë e vendit.”, – deklaroi Arbër Ademi nga BDI.
Në Komisionin për çështje evropiane debati rreth pesë ligjeve për korridoret mund të zgjat më së shumti 10 ditë, kurse në seancë plenare për një ligj mund të debatohet tre ditë.