Zyrtarët e Kievit raportuan për një sulm ajror jashtëzakonisht të ashpër nga Rusia, duke përfshirë përdorimin e dronëve dhe raketave. Ky shënon sulmin e tetë ajror në kryeqytetin ukrainas këtë muaj. Numri i objektivave të goditura dhe të shkatërruara gjatë sulmit ajror në Kiev, aktualisht nuk dihet.
“Ne i kemi dëgjuar të gjitha. Falë Zotit, nuk pati raketa në zonën tonë. Kemi frikë, nervozizëm, shqetësim. Presim fitore, të përfundojë e gjithë kjo”, tha Valentina Myronets, banore.
“Të gjithë miqtë dhe shokët e mi të klasës e kanë dëgjuar këtë. Ata ishin shumë të shqetësuar. Njëra nga raketat ra pranë shtëpisë së shokut tim të klasës. Mendoj se është shumë keq”, u shpreh Herorhi Pirveli, banor.
Komanda e Forcave Ajrore të Ukrainës raportoi se Rusia kishte lëshuar të paktën 18 raketa, në objektiva të ndryshme në Ukrainë, por të gjitha ato u kapën nga mbrojtja ajrore e Ukrainës. Sulmi u nis nga tri drejtime të ndryshme, duke filluar nga ora 3:30 e mëngjesit sipas orës lokale. Pavarësisht sulmeve, Ukraina i ka zmbrapsur me sukses shumicën e tyre. Sipas zyrtarëve, mbeturinat e raketave ranë në disa rrethe të Kievit. Kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko, raportoi se mbeturinat që ranë dogjën shumë makina dhe shkaktuan dëmtime në një ndërtesë.
Presidenti Ukrainës, Volodymyr Zelensky, më 15 maj tha në një video të regjistruar në tren gjatë udhëtimit për në Kiev nga turneu i tij evropian, se po kthehej me paketa të reja mbrojtëse, duke përfshirë “më shumë municion, armë më të forta, më shumë mbrojtje për popullin dhe më shumë mbështetje politike”. /Alsat.mk