Aksidentohet autobusi me nxënës në magjistralen Prishtinë-Pejë, 30 të lënduar

Tridhjetë persona janë lënduar në një aksident trafiku ka ndodhur pasditen e së shtunës në magjistralen Prishtinë-Pejë, ku janë përfshirë një autobus me nxënës, një kamion dhe një veturë.

Ngjarjen e ka konfirmuar Zëdhënësi i Policisës së Kosovës, Bajram Krasniqi, i cili ka njoftuar se në aksident 30 persona kanë pësuar lëndime, kurse në vendin e ngjarjes kanë dalë ekipet mjekësore.

“Në ora 15:50, policia është njoftuar për një aksident trafiku të ndodhur në rrugën nacionale Prishtinë-Pejë (fshati Vragoli). Në aksident është përfshirë një autobus me targa të huaja dhe një kamion me targa vendore. Njësitet përkatëse policore kanë dalë në vend-ngjarje. Si pasojë e aksidentit 30 persona që kanë pësuar lëndime. Janë njoftuar edhe ekipet mjekësore. Më pas do t’u ofrojmë të dhëna të përditësuara lidhur me aksidentin”, ka deklaruar Bajram Krasniqi.

Ai tha se në aksident është përfshirë edhe një veturë me targa vendore.

Autobusi i aksidentuar ishte i kompanisë “Graniti Trans” nga Presheva, i cili po transportonte nxënës nga kjo komunë, të cilët ishin në një ekskursion në Shqipëri.

Nga kompania në fjalë i kanë konfirmuar se një autobus, nga gjithsejtë tre sa ishin duke bartur nxënësit që ishin në ekskursion, është aksidentuar me një kamion.