MASH përgatit rekomandime për sigurinë nëpër shkolla

Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) është duke përgatitur rekomandime për shkollat për rritjen e sigurisë në objekte, si dhe uljen e dhunës së bashkëmoshatarëve. Baza e procesit janë konkluzionet e dala nga takimet e deritanishme me profesorë dhe ekspertë të fushës si dhe nga vizitat në shkolla ku së bashku me kuadrin mësimor dhe shërbimet profesionale po analizohet gjendja e sigurisë. “Pas finalizimit të rekomandimeve, të njëjtat do t’i përcillen Qeverisë dhe do të miratohen në seancën e ardhshme. Ndërkohë, çdo propozim konstruktiv është i mirëpritur dhe mund të jetë pjesë e planit për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në shkolla dhe në ndërtimin e mjedisit ku nxënësit do të fokusohen vetëm në përvetësimin e njohurive dhe aftësive ndërsa dhuna nuk do të jetë temë. Njëkohësisht MASH-i vazhdon procesin e konsultimit, me përfshirjen e disa faktorëve shoqëror të cilët mund të ndihmojnë në krijimin e protokolleve gjithëpërfshirëse për rritjen e sigurisë në shkolla dhe manualeve për trajtimin në rast të zbulimit të dhunës nga bashkëmoshatarët”, thuhet mes tjerash në njoftimin e MASH-it.