Të premten Qeveria do të vendos edhe gur themelin e Korridorit 10-D. Nisja e punimeve edhe për pjesën tjetër të projektit po bëhet mbi marrëveshjen e fshehur nga sytë e opinionit. Deri tani disa skandale e kanë përcjell procedurën për nisjen e punimeve, që nga negociatat, arritja e marrëveshjes dhe zgjedhja e kompanive mbikëqyrëse. Tenderin për mbikëqyrjen e punimeve në Korridoret 8 dhe 10-D e fitoi grupi i kompanive “IRD Inzhinjering”, “Elektrasollushëns”, Evrokonsallting” dhe “EPTISA”. Tri nga katër firmat pjesëmarrësve kontestohet për të paktën një çështje ose cenohet besueshmëria e tyre.
“Elekstrasollushëns”: Kompani e cila licencën për mbikëqyrjen e punimeve e ka marrë me inxhinier tjerë nga ata të deklaruar në projektin e fundit. Kjo kompani gjithashtu gjatë marrëveshjes ka deklaruar dhjetëra të punësuar, ndërsa në deklarimin e fund vitit ka paraqitur vetëm dy të punësuar. Disa ekspertë nuk gëzojnë dokumentacion përkatës, ndërsa kompania përvojën më të madhe e ka në prodhimin e veshjeve të brendshme. Edhe pse kompania italiane është bartëse e mbikëqyrjes, “Elekstrasollushëns” është kompania përmes së cilës do të kalon shuma më e madhe e 22.3 milion eurove të parapara për konsulentët.
“Evrokonsallting”: Kompania e themeluar nga Branisllav Dimitrijeviq, me drejtues aktual Zoran Dimitrijeviq do të jetë kompania tjetër e angazhuar në mbikëqyrje. Kjo kompani pronari i së cilës ndiqet penalisht në Armeni për mashtrim, fitoi pjesë nga kulaçi milionësh për mbikëqyrje, pavarësisht se Qeveria ishte në dijeni për të kaluarën e errët të Dimitrijeviq, mos qasjen e tij për organet ligj zbatuese në vendin tonë dhe dyshimet për manipulime me pronësi të kompanisë me qëllim përshtatjen e kushteve për pjesëmarrje në tender.
“EPTISA”: Një mollë sherri që bëri Qeverinë të pendohet për një vendim të sjellë. Kompania spanjolle ishte dënuar nga organi ekzekutiv në nëntor të vitit 2020, duke iu ndaluar çdo komune dhe institucioni shtetëror bashkëpunimi me firmën “EPTISA” në projekte me vlera mbi 1.000.000 euro. 10 javë më vonë, e gjetur para mundësisë për t’u paditur për shkelje të marrëveshjes dhe e zënë ngushtë para aktit të kryer se organi ekzekutiv nuk mund të sjell vendim nëse një subjekt vepron në kundërshtim me ligjin ose jo, Qeveria tërhoqi mbrapa vendimin, përkatësisht abrogoi urdhrin për mosbashkëpunim.
Derisa marrëveshja mbetet e klasifikuar, Prokuroria Publike ka njoftuar se po e shqyrton të njëjtën. Së fundi u përfol vlera e projektit. Qeveria pretendon se me ndryshimet ligjore, kursehen qindra miliona euro, por opozita pretendon se kjo bëhet për qëllime lukrative. Procedurën e kritikuan edhe përfaqësitë diplomatike Evropiane, respektivisht ambasadori i BE-së, Dejvid Gir. Vlera e Korridorit 8 dhe 10-D është parashikuar të arrij 1.3 miliarda euro, por nuk përjashtohet rritja e vlerës gjatë kryerjes së punimeve. Punimet do të kryhen nga konzorciumi turko-amerikan Bechtel&Enka, ndërsa përfundimi i tyre është paraparë në afat prej gati 5 vitesh. Me 4 prill u vendos gur themeli për Korridorin 8. /Alsat.mk