Sot në Strugë u mbajt takimi i tetë dhe i fundit në kuadër të projektit “Bëhu in, bëhu inkluziv”, bëhu gjithëpërfshirës, i cili ka për qëllim të zgjidhë mangësinë e mundësive për arsimim të fëmijëve me aftësi të kufizuara dhe të kontribuojë në një sistem më gjithëpërfshirës. Në takim ishin pjesëmarrës përfaqësues nga komunat e rajonit dhe shkollat. Organizatorët thonë se në kuadër të projektit janë bërë intervenime nëpër shkolla për sa i përket infrastrukturës, me qëllim që të mundësohet cilësi e lartë e arsimimit për fëmijët me aftësi të kufizuara. Ndërsa, edhe nga komuna e Strugës thonë se komuna jep mbështetje maksimale për personat me aftësi të kufizuara.
“Përveç aktiviteteve që kanë të bëjnë me ndarjen e bursave si projekt, kemi realizuar edhe intervenime nëpër shkolla sa i përket infrastrukturës brenda shkollës duke ndërtuar këndet e lojërave dhe dhoma senzorike. Projekti, si projekt ka bërë edhe trajnimin e një numër të konsiderueshëm të ekipit inkluziv të shkollave, të asistentëve arsimor në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës.”, – deklaroi kryetari i shoqatës “Handimak”, Adem Idrizi.
“Gjatë këtij viti po mbulohen shpenzimet e personave që kanë pengesa intelektuale, ku të gjithë shpenzimet siç janë ato operative, personeli, janë të mbuluara nga komuna e Strugës. Gjithashtu, këtu janë paraparë aktivitete për vendosjen e dhomave senzorike në dy shkollat fillore më të rëndësishme të qytetit të Strugës, megjithatë për këtë jemi duke bërë gërshetim dhe kërkojmë donatorë dhe një pjesë me paratë e komunës së Strugës.”, – theksoi kryetarja e Këshillit të komunës së Strugës, Arbresha Vlashi.
Projekti “Bëhu in, bëhu inkluziv”, bëhu gjithëpërfshirës ka filluar në shtator të vitit 2020 dhe do të zgjasë deri në gusht të vitit 2023. Ky projekt realizohet nga shoqata “Handimak” dhe “Inkluziva”, ndërsa financohet nga BE.