Tridhjetë e shtatë për qind e fëmijëve në shkollat tona thonë se nuk ndjehen të sigurt në shkollë.
Madje 24 për qind e fëmijëve shprehen se janë viktima të dhunës fizike. Këto janë rezultatet e hulumtimit të realizuar nga Universiteti “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup bashkë me profesorët e Fakultetit Filozofik.
Në hulumtim kanë marrë pjesë më shumë se 2.000 nxënës dhe sipas profesoreshës Sofija Georgievska, e cila ishte pjesë e hulumtimit, dhuna është në rritje.
“Alarmi më i madh është se 27% e fëmijëve s’kanë kujt t’ia tregojnë ose nuk dinë. 27% është numër i madh që na thotë “unë ndjehem keq, por nuk di kujt t’ia them”, u shpreh ajo.