Maqedonia e Veriut renditet më mirë në rajon për lirinë e mediave

Me një kërcim pozitiv prej 19 vendeve krahasuar me vitin 2022, Maqedonia e Veriut renditet e 38-ta nga gjithsej 180 vende në botë sipas Indeksit Global të Lirisë së Medias të “Reporterëve pa kufij”. Kjo e bën RMV-në vendin më të mirë të renditur në rajon për sa i përket lirisë së medias në vitin 2023.

Përveç renditjes më të mirë, Maqedonia e Veriut, pas Malit të Zi, ka përparimin më të mirë në këtë fushë në raport me vendet e Ballkanit Perëndimor, krahasuar me renditjen e vitit të kaluar, përcjell Telegrafi Maqedoni. Renditja e vendeve sipas lirisë së medias në vitin 2023 tregon se Maqedonia e Veriut duke zënë vendin e 38-të nga gjithsej 180, është lider për sa i përket lirisë së mediave në raport me vendet e Ballkanit. Një vend më poshtë, pra në vendin e 39-të, është Mali i Zi me një kërcim pozitiv prej 24 pozitash krahasuar me vitin e kaluar. Kroacia është pozicionuar në vendin e 42-të dhe Sllovenia zë vendin e 50-të sipas indeksit të lirisë së medias 2023.

Për sa i përket lirisë së mediave në krahasim me RMV-në, më poshtë janë Kosova, e cila është në pozitën e 56-të dhe Bosnja dhe Hercegovina e cila zë vendin e 64-të. Sipas renditjes së vitit 2023, Bullgaria pozicionohet në vendin e 71-të, Serbia në vendin e 91-të dhe Shqipëria renditet pesë vende më poshtë në listë, pra në vendin e 96-të.

Renditja më e ulët mes vendeve të rajonit për sa i përket lirisë së medias në vitin 2023 është Greqia, e cila është në vendin e 107-të. Më të mirat për lirinë e gazetarisë janë vendet skandinave – Norvegjia, Danimarka, Suedia, Finlanda, dhe e katërta është Irlanda, ndërsa më keq janë Turkmenistani, Irani, Vietnami, Kina dhe Koreja e Veriut.