Maqedonia mes vendeve që kërkon krijimin e një Gjykate Speciale për krimet ruse në Ukrainë

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, sot e ka informuar ministrin e Punëve të Jashtme të Ukrainës, Dmytro Kuleba, se Maqedonia e Veriut ka vendosur t’i bashkohet Grupit Themelues për themelimin e Tribunalit Special për agresionin rus ndaj Ukrainës, përcjell INA.

Ministria e Jashtme njoftoi se Osmani ka zhvilluar një bisedë telefonike me kolegun e tij ukrainas Kuleba.

“Një hap i tillë përfaqëson një tjetër konfirmim të mbështetjes sonë të vazhdueshme për Ukrainën në luftën për drejtësi, liri dhe vlera të përbashkëta demokratike. Agresioni rus duhet të ndalet sa më shpejt dhe autorët e krimeve të luftës të dalin para drejtësisë”, theksoi Osmani.

Në të njëjtën kohë, Osmani rikonfirmoi mbështetjen e vendosur dhe pa kompromis për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, ndërsa dënoi ashpër pushtimin ushtarak rus.

Iniciativa ndërkombëtare për themelimin e gjykatës speciale e ka nisur Parlamenti Evropian më 19 janar të këtij viti, i cili ka miratuar një rezolutë me të cilën kërkohet themelimi i gjykatës ndërkombëtare që do të kryejë aktivitete hetimore dhe prokuroriale për ndjekjen penale të krimeve të kryera si rezultat i agresionit kundër Ukrainës. Kjo iniciativë mbështetet nga shtetet anëtare të BE-së, Mbretëria e Bashkuar, Australia, Shtetet e Bashkuara, por edhe nga vende të kontinenteve të tjera, si Guatemala.(INA)