Letra e ambasadores amerikane në Shkup, Angela Price Aggeler duhet lexuar si paralajmërim për tërheqje të mundshme të SHBA-ve nga mbështetja e reformave mbi sundimin e ligjit dhe transparencën gjyqësore.
Ekspertët vlerësojnë se Aggeler në letrën dërguar Gjykatës se Apelit dhe institucioneve tjera ishte më e drejtpërdrejtë se asnjëherë dhe se ka qenë e detyruar të dalë edhe nga fjalori diplomatik, me qëllim që të alarmon situatën në mënyrën e duhur.
“Po vërehet një frustrim dhe dëshpërim tek bashkësia ndërkombëtare mbi zhvillimet në gjyqësor. Kjo buron nga mos ndërmarrja e hapave të duhur dhe në përputhje me ligjin për zgjidhjen e problemeve të cilat i trashëgojmë tashmë 10-15 vite me radhë. Letra dëshmon se sa e angazhuar është ambasada amerikane dhe bashkësia ndërkombëtare për t’i kthyer në binare zhvillimet në gjyqësor”, tha Darko Avramovski, Koalicioni “Të gjithë për gjykime të drejta”.
Avramovski vlerëson se letra nuk do të ketë efektin e duhur, por duhet kujtuar aktorëve relevant në gjyqësor se tani është momenti që të ndërmerren masa konkrete. Sipas tij, reagimi i ambasadores dha efektet e para por jo të duhurat
“Nuk besoj se një letër do të ketë mundësi të sjell ndryshime, por është e mjaftueshme që të ketë lëvzije. E pamë se menjëherë kishte ca pasoja dhe reagime nga publikimi i asaj letre. Duhet ta theksojmë se letra nuk përmban diçka të re dhe për të cilën opinioni vendas nuk ka ngritur shqetësimin, megjithëse kur reagimet vijnë nga faktorë të jashtëm mund të merren pak më seriozisht dhe në këtë rast duhet shfrytëzohet momenti dhe të veprohet me urgjencë”, u shpreh Darko Avramovski, Koalicioni “Të gjithë për gjykime të drejta”.
Në letrën e Aggeler drejtuar Gjykatës së Apelit, institucioneve gjyqësore dhe Qeverisë potencohet zhgënjimi dhe dëshpërimi i faktorit ndërkombëtarë, respektivisht SHBA-ve që pavarësisht investimit 30 vjeçar nuk janë dhënë rezultate konkrete në sundimin e ligjit. Në letrën e publikuar ekskluzivisht nga Alsat potencohet edhe akuza e drejtpërdrejtë e Aggeler ndaj gjykatësve të Apelit të cilët i quan të paaftë për të vepruar në kohë dhe si pasojë kanë mundësuar kthimin lëndëve të profilit të lartë për rigjykime gjë që ka bërë të mungon drejtësia dhe të ulet besimi në gjyqësor. Pas publikimit të letrës, autoritetet vendase nuk komentuan më shumë përveç se u pajtuan me konstatimet e Aggeler. /Alsat.mk