Shtetasi i Maqedonisë pagoi 10 mijë euro për shtetësinë e Kosovës, arrestohet zyrtari komunal në Viti

Hetimet disamujore të Policisë, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Gjilan, lidhur me një rast të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, ku është i përfshirë një zyrtar i komunës së Vitisë, është zbuluar se i njëjti ka bërë regjistrimin e një shtetasi të Maqedonisë, si shtetas i Kosovës, pasi i njëjti e ka paguar 10 mijë euro.

Dy të dyshuarit janë arrestuar dhe tashmë ndodhen nën masën e ndalimit policor.

Por kush është zyrtari i arrestuar?

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Mehmet Drugzan, zyrtar i gjendjes civile në Komunën e Vitisë, i cili dyshohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritet zyrtar“.

Kurse i dyshuari tjetër është A.R, shtetas i Republikës e Maqedonisë se Veriut, i cili është regjistruar si shtetas i Kosovës në mënyrë te kundërligjshme. Ai dyshohet për veprën penale “Dhënie të ryshfetit”.

Edhe Policia e ka konfirmuar rastin dhe ka dhënë detaje se si bashkëpunuan dy të dyshuarit, përmes një personi tjetër, i cili është shpallur në kërkim policor.

“Është zbuluar se i dyshuari mashkull me iniciale A. R. viti i lindjes 1978, shtetas i Maqedonisë së Veriut, në këmbim të regjistrimit të tij si shtetas i Republikës së Kosovës në Komunën e Vitisë, kishte paguar shumën prej 10000,00 (dhjetë mijë euro) përmes një të dyshuari tjetër i cili ndodhet në kërkim policor, me qëllim të regjistrimit të tij në sistemin elektronik të gjendjes civile, duke u pajisur kështu me dokumente personale si: certifikatë, ekstrakt të lindjes dhe letërnjoftim nga ana e të dyshuarit mashkull kosovar me inicialet M. D. viti i lindjes 1962.”

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. /GazetaSinjali/