Zëvendëskryeministri përgjegjës për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq sot në Bruksel e udhëheq delegacionin e vendit me rastin e fillimit të takimit të skriningut bilateral për kapitullin 25, “Shkencë dhe hulumtim” nga klasteri i tretë “Konkurrentshmëri dhe rritje gjithëpërfshirëse”.
Siç ka bërë të ditur Sekretariati për Çështje Evropiane (SÇE), zëvendëskryeministri dhe kryenegociatori me BE-në do ta shfrytëzojë vizitën njëditore të punës në Bruksel për të zhvilluar takim koordinues me drejtoreshën për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e përgjithshme për politikë të fqinjësisë dhe negociata për zgjerimin e Bashkimit Evropian, Mikela Matuela, ndërsa do të takohet edhe me Sajmon Mordju, këshilltar për politikë të jashtme të kryetarit të Këshillit Evropian, Charles Michel. “Procesi i skriningut zhvillohet pa ndërprerje. Jemi thuajse në gjysmë të rrugës të zbatimit të saj, ndërsa sipas kalendarit të përcaktuar duhet të përfundojë deri në fund të nëntorit. Skriningu shpjegues dhe bilateral janë kompletuar plotësisht për dy klasteret kryesore: Klasteri 1, “Vlerat themelore” dhe Klasteri 2, “Tregu i brendshëm””. “Në rrjedhë është skriningu bilateral për klasterin e tretë, “Konkurrentshmëri dhe rritje gjithëpërfshirëse”, për të cilin tashmë ka përfunduar skriningu shpjegues. Paralelisht e kemi mbyllur edhe skriningun shpjegues për klasterin e katërt, “Agjenda e gjelbër dhe politika e transportit”, kumtojnë nga Sekretariati për Çështje Evropiane (SÇE).