Gir: Zhvillimet në Këshillin Gjyqësor nuk po shkojnë në drejtimin që presim në BE

“Sundimi i ligjit është thelbësor për proceset integruese evropiane të vendit”, tha ambasadori evropian David Geer në pyetjen e një gazetari për zhvillimet e fundit në Këshillin Gjyqësor të Maqedonisë së Veriut me rastin e shkarkimit të kryetares së këtij institucioni.

Ai këto komente i bëri sot gjatë vizitës në Komunën e Novosellës.

“Javët dhe muajt e fundit kemi parë zhvillime që nuk shkojnë në drejtimin që presim ne në Bashkimin Evropian, në drejtim të përmbushjes së standardeve që nevojiten për integrimin evropian të vendit tuaj. Nuk ka asnjë rrugë të shkurtër që do të çojë në zbatimin e reformave që lidhen me sundimin e ligjit. Ne presim që procesi i reformës të vazhdojë me vendosmëri, sepse vetëm kështu mund të bëhet anëtar i BE-së ky vend dhe mbi të gjitha është në interes të qytetarëve”, tha ambasadori Gir.

Ai shtoi se mund t’i garantojë qytetarët e Maqedonisë se do t’i përcjellin nga afër të gjitha zhvillimet lidhur me sundimin e ligjit, nga dita e parë e procesit të anëtarësimit deri në ditën e fundit kur vendi të bëhet anëtar i BE-së.

Shkarkimi i kryetares së Këshillit Gjyqësor të Maqedonisë së Veriut, Vesna Dameva, ka nxitur reagime të shumta në opinion. Shkarkimi i Damevës u bë me miratimin e 7 prej 13 anëtarëve sa numëron ky organ. Ngjarjet në Këshillin Gjyqësor pasojnë një letër të ambasadores amerikane në Shkup me kritika të ashpra ndaj punës së Gjykatës së Apelit.

Dameva u shkarkua me arsyetimin se e ka fshehur letrën e ambasadores Angela Aggeler, por edhe për shkak të siç thuhet, prishjes së raporteve ndërnjerëzore në Këshill.

Por, kryetarja e këshillit tha se pas një akti të tillë qëndrojnë struktura politike. “Ky vendin është antiligjor pasi nuk i ka votat e mjaftueshme, por nuk ka as arsye për një gjë të tillë. Është e qartë se me këtë vendim duhet të plotësohen dëshirat e dikujt. Persona të caktuar të politikës do të jenë të kënaqur me këtë vendim, por unë nuk do të dorëzohem dhe beteja do të vazhdojë”, tha Dameva.

Këshilli Gjyqësor është organi më i lartë gjyqësor në Maqedoninë e Veriut, i cili emëron, shkarkon dhe shqyrton punën e gjykatave në vend.

Në rend të ditës, kur anëtarët e tjerë vendosën shkarkimin e Damevës, ishte edhe një pikë, në të cilën do të kërkohej përgjegjësi nga një gjykatës i Gjykatës së Apelit për shkak të punës joefikase në procedimin e rasteve, e cila çoi në vjetërsimin e disa lëndëve, përfshirë edhe atë të ish-drejtorit të Policisë Sekrete, Sasho Mijallkov, i dënuar me disa vjet burgim.

Dameva pretendon se shkarkimi i saj ka për qëllim pikërisht mbrojtjen e gjykatësve të tillë, të cilët duhet të japin përgjegjësi për punën e tyre. Presidenti Stevo Pendarovski, nëpërmjet një reagimi me shkrim, tha se ajo që ka ndodhur në Këshillin Gjyqësor, ndikon negativisht në besueshmërinë e punës së gjykatave, të cilat po përballen me kritika të shumta për joefikasitet dhe ndikime politike. (INA)