Në bazë të të dhënave të Asociacionit për Tregti Elektronike, në Maqedoninë e Veriut blerjet online gjatë vitit të kaluar kanë shënuar rritje për 25 për qind krahasuar me një vit më herët, përkatësisht më 2021.
Qytetarët e Maqedonisë së Veriut gjatë blerjeve on-line në vitin 2022 kanë shpenzuar rreth 550 milionë euro, me ç’rast janë realizuar 16.7 milionë transaksione elektronike në 1 mijë e 891 dyqane online.
Nga Asociacioni për Tregti Elektronike theksojnë se ashtu siç ka shënuar rritje tregtia legale online, me po të njëjtën shpejtësi shënon rritje dhe tregtia gri në internet.
Nga ky asociacion theksojnë se qytetarët duhet të kenë kujdes se nga cilat dyqane blejnë në formë elektronike, përkatësisht nëse ato janë të regjistruara dhe kanë adresë dhe llogari të regjistruar ku mund të bëhen ankesat rreth produkteve.
Qytetarët më së shumti ankohen për cilësinë e produkteve
Por, qytetarët shprehen se jo rrallëherë janë mashtruar nga reklamat, ndërkohë që produkti që u ka ardhur në shtëpi, ka qenë larg cilësisë që u është prezantuar gjatë reklamimit, madje kanë pranuar dhe produkte që paraqesin rrezik për jetën e tyre.
“Nuk mund të jap një vlerësim më konkret, më profesional përpos përvojës që ka pasur babai im, pasi unë nuk parapëlqej të blej asgjë nga dyqanet elektronike. Babai im bëri një porosi përmes rrjetit social Facebook dhe jo vetëm që produkti ishte ‘fake’ por kufjet i shpërthyen në dorë derisa mbusheshin me rrymë”, tregon Stefani.
Edhe Linda thotë se ka mbetur shumë e zhgënjyer nga blerjet online.
“Disa herë pyeta nëse atletet janë origjinale. M’u përgjigjën se po. Por, në fakt ishte mashtrim. Për këtë fatkeqësisht u binda kur mora porosinë në shtëpi. Dhe, s`kisha mundësi t’i kthej”, thotë ajo.
Por, jo të gjithë kanë eksperienca të këqija.
Monika thotë se zakonisht bën blerje në shitoret elektronike për të kursyer kohë dhe njëherësh përmes tregtisë elektronike shfrytëzon dhe ofertat promovuese për të blerë më lirë.
Ajo thotë se gjithmonë ka mbetur e kënaqur nga blerjet online pasi asnjëherë nuk blen përmes rrjeteve sociale, por nga faqet zyrtare të kompanive të njohura të vendit.
“Gjithmonë flitet për rreziqet e blerjeve online, por në fakt nuk shoh se diçka bëhet në këtë drejtim për të edukuar qytetarët që nuk kanë njohuri të mjaftueshme elektronike.Blerjet online për mua personalisht kanë më shumë përparësi në krahasim me blerjet tradicionale në dyqane fizike. Ajo që mua levërdis është fakti se kam më shumë komoditet, pra më kursen kohën dhe e dyta në dyqanet online çmimet janë më të ulëta” ,thotë Monika.
Mashtrimet gjatë shitjeve online më së shumti bëhen përmes rrjeteve sociale
Nga Organizata e Konsumatorëve në Maqedoninë e Veriut bëjnë të ditur se mbi 20 për qind e ankesave që kanë mbritur deri te kjo organizatë, kanë të bëjnë me mashtrimet gjatë blerjeve online.
Martina Gërnçarevska nga kjo organizatë, thotë për Radion Evropa e Lirë se qytetarët që kanë realizuar blerje përmes faqeve të reklamuara në rrjetet sociale janë ata që janë më të zhgënjyerit për sa i përket cilësisë së produkteve të blera online.
“Pjesa më e madhe e dyqaneve online në rrjetet sociale fare nuk janë të regjistruara dhe pikërisht këtu fillon mashtrimi.Problemi qëndron edhe në atë se gjatë blerjeve përmes rrjeteve sociale konsumatorët nuk marrin llogari fiskale e as garanci për cilësinë e produktit. Kështu që, produkti nëse është i prishur apo ka çfarëdo lloj dëmtimi konsumatorët nuk mund të iniciojnë procedurë për mbrojtjen e të drejtave të tyre”, thekson Gërnçarevska.
Ajo konsideron se mbrojtja më mirë mbetet kërkimi i informacioneve për dyqanet që i shesin produktet e caktuara, nëse janë të regjistruara si kompani në regjistrin qendror dhe nëse kanë një adresë ku mund të bëhen ankesat.
Inspektorati mund të veprojë vetëm nëse shitoret online janë të regjistruara
Ndërkohë, nga Inspektorati Shtetëror i Tregut bëjnë të ditur se në saje të ankesave të qytetarëve mund të veprojnë në mbrojtje të konsumatorëve duke u thirrur në Ligjin për Tregtinë Elektronike.
Por, nga inspektorati theksojnë se për të qenë në gjendje të veprojnë, tregtari duhet të jetë i regjistruar në një adresë të ndryshme nga adresa e shtëpisë, për shkak se Inspektorati i Tregut nuk ka kompetencë për të kryer mbikëqyrjen në një shtëpi gjegjësisht pronë private.
Problem më vete, sipas këtij institucioni, është dhe fakti se Inspektorati Shtetëror i Tregut nuk ka kompetenca për kompanitë ndërkombëtare që funksionojnë jashtë territorit të vendit.
“Inspektorati vepron në përputhje me kompetencat e tij që domethënë vetëm nëse kërkesa e paraqitur është për ndonjë tregtar të regjistruar që lëshon llogari fiskale, pasi ajo shërben si dëshmi për veprimet tona. Kurse, ata që shesin nëpërmjet rrjeteve sociale zakonisht nuk janë të regjistruar dhe për këtë arsye është e pamundur që të gjenden dhe të veprohet sipas dispozitave të denoncimit”.
“Gjithashtu, për qytetarët të cilët bëjnë porosi në dyqane jashtë territorit të vendit, ju informojmë se Inspektorati Shtetëror i Tregut nuk ka kompetenca mbi tregjet ndërkombëtare që janë jashtë territorit të Maqedonisë së Veriut”, theksojnë nga Inspektorati Shtetëror i Tregut.
Do theksuar se gjatë vitit të kaluar në Ministrinë e Punëve të Brendshme kanë arritur 27 ankesa për mashtrim gjatë blerjeve online, prej të cilave Policia ka iniciuar 9 raste në organet e drejtësisë për veprën penale “mashtrim”./REL/