Kërkesat për azil të shqiptarëve në vendet e Bashkimit Evropian ishin në shkurtin e këtij viti më të lartat e vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor. Sipas raportit të Agjencisë së Bashkimit Evropian për Azilin (EUAA), publikuar të premten shtetasit shqiptarë paraqitën 845 aplikime për azil gjatë muajit shkurt, shkruan Zëri i Amerikës.
Ata pasohen nga shtetasit nga Maqedonia e Veriut me 602 aplikime, shtetasit nga Serbia me 481 aplikime, shtetasit nga Kosova me 304 alikime, nga Bosnjë Hercegovina me 142 aplikime, ndërsa numri më i vogël i aplikimeve për azil shëohet nga shtetasit e Malit të Zi me vetëm 23 persona.
Në janar të këtij vitit numri i kërkesave për azil nga shqiptarët në vendet e Bashkimit Evropian ishte rreth 900, nga të të cilët rreth 700 kërkesa për herë të parë dhe rreth 200 si kërkesa përsëritëse.
Edhe treguesit vjetorë të vitit 2022 të Agjencisë Evropiane për Azilin flisnin se në vendet e Bashkimit Evropain kishte dukshëm më shumë aplikantë nga Ballkani Perëndimor, veçanërisht Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Kosova.