Boçvarski: “Korridori 8 do të ndërtohet në kohë”

Paralajmërimet se dje më 22 prill nis ndërtimi i korridorit 8, dolën se në fakt janë nisje e procedurave që i paraprijnë ndërtimit, pra ndërtuesi nis me përpilimin e projekteve urbanistike dhe themelore. 

I pyetur se pse nuk nisi ndërtimi në terren siç pritej dhe siç ishte paralajmëruar, Ministri i Transportit dhe Lidhjeve Bllagoj Boçvarski u shpreh se të gjitha procedurat do të zbatohen në mënyrë që korridoret të ndërtohen me kohë dhe të mos ketë probleme gjatë ndërtimit.

Duke folur për akuzat e opozitës se nga sot nis pagimi i gjobave ndaj kompanisë ndërtuese, Boçvarski tha se deri më tani nuk janë paguar mjete ndaj kompanisë dhe se pagesa e parë do të jetë paradhënia për fillimin e punimeve të ndërtimit dhe se çdo qindarkë e paguar do të publikohet në faqen e Financave Publike.

“Në lidhje me fillimin e ndërtimit ne tashmë informuam se 22 prilli është fillimi i realizimit të marrëveshjes, ku ndërtuesi nis me përpilimin e projekteve urbanistike dhe projekte themelore me qëllim që të fillojë edhe procedura e shpronësimit të tokës private, të bëjë incizime në terren, gjendjen aktuale të trasesë, të shihet se ku ka instalime mbi dhe nën tokësore, të cilat ndoshta do të duhet të dislokohen gjatë ndërtimit, të konfirmohet procedura e kërkimeve gjeoteknike dhe gjeomekanike sepse pa analiza të tilla cilësore, të cilat i paraprijnë nisjes së ndërtimit, besoni se do të kemi probleme të mëdha dhe zvarritje të ndërtimit të mëtejmë dhe kjo do të ketë ndikime negative ndaj gjithë projektit. Për këtë arsye hap pas hapi do të realizohen të gjitha procedurat me qëllim që korridoret të ndërtohen në kohë, shpejt dhe mënyrë efikase”, tha Bllagoja Boçvarski, ministër për Transport dhe Lidhje.