Elbasan-Qafë thanë po zgjerohet/ Rruga po bëhet me katër korsi dhe do të shkurtohet me 20 kilometra

Rreth 10 mijë mjete përshkojnë çdo ditë aksin nacional Elbasan-Qafë Thanë, ngarkesë e cila, përpos trafikut në zonat e banuara jo pak herë është bërë burim aksidentesh fatale.

Nisja e punimeve për zgjerimin e rrugës në disa segmente dhe zhvendosjen nga zonat e populluara në disa segmente të tjera, është mirëpritur nga banorët.

“Rruga aktuale ka trafik dhe ka pasur aksidente shumë. Për fshatin tonë është një punë shumë e mirë, që u spostua rruga e nisën punimet”, shprehet një banor.

Ky aks do të transformohet tërësisht dhe do të shkurtojë distancat me rreth 20 km duke u kthyer në një rrugë interurbane me katër korsi, si pjesë e korridorit të 8-të. Në pjesën më të vështirë atë të kthesave të Murrashit, parashikohet ndërtimi i një tuneli.

“Në segmentin më të vështirë kemi ngritje të relievit me 10 metra. Kalojmë në lartësi ngjitur me Murrashin e Sipërm dhe një tunel diku një kilometër, e pastaj vazhdojmë me dy ura të tjera”, u shpreh Evis Berberi, drejtor i ARRSH.

Rruga e cila pritet të përfundojë në vitin 2027 lidh zona me shumë rëndësi si portin e Durrësit me pikat kufitare të Greqisë, Maqedonisë së Veriut, Bullgarisë etj. Ndërkohë për të evituar bllokimin e Elbasanit nga trafiku pritet që në muajt e verës të përfundojë projekti për By Pass-in e Elbasanit.

“Kjo ndërhyrje ishte e rëndësishme pasi të gjithë ata që përdorin këtë segment e kanë parë se sa e ngarkuar që është”, shtoi më tej Evis Berberi, drejtor i ARRSH.

Aktualisht po vijon për ndërtimin e nënkalimeve, urës automobilistike në luginën e Lumit Shkumbin pranë fshatit Xibrrakë.