Mijëra besimtarë kryen faljen e namazit të Bajramit në “Sheshin Skënderbej”, në Tiranë.
Kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu përcolli urimet e festës së Fitër Bajramit për të gjithë besimtarët myslimanë shqiptarë. Spahiu në fjalën e tij përshëndetëse rikujtoi edhe shënimin e 100-vjetorit të themelimit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë. Mesazhi i tij u fokusua edhe në frenimin e migrimit të të rinjve, duke u bërë thirrje që të rrisin fëmijët e tyre në Shqipëri.
“Motra dhe vëllezër, kujdesuni që Kombi jonë të rritet nëpërmjet virtytit! Secili nga ne e ka detyrë të kontribuojë për të frenuar ikjen e kombit. Po pakësohemi dita-ditës. Ne që kemi qenë një nga popujt me moshën më të re në Evropë po plakemi me ritme shumë të shpejta. Pse duhet të zgjedhim rrugën më të lehtë, braktisjen e vendit, në vend të qëndrimit këtu dhe të forcimit të kombit tonë. Të lindim fëmijët këtu, t’i rrisim këtu në vendin tonë si qytetarë me virtyte dhe të dorës së parë, në vend që t’i çojmë si qytetarë të dorës së dytë nëpër botë! Familja është bërthama e çdo shoqërie. Ta forcojmë atë ashtu siç e kemi traditën tonë të shkëlqyer”, deklaroi Bujar Spahiu, Kreu i Komunitetit Mysliman Shqiptar.
Festa e Bajramit po kremtohet edhe në Kosovë.
Kryemyftiu i Kosovës Naim Tërnava pas ceremonisë kryesore tha se është detyrim që ta ruajmë e ta ngremë vendin ashtu siç e meriton. Ai theksoi se vendi është i lirë e i pavarur, mirëpo mbetet obligim ta ndërtojnë e ta bëjnë me perspektivë, një vend ku jetohet me dinjitet, ku fëmijët të rriten të sigurt e të marrin edukim e arsimim cilësor, një vend ku siguron vende pune e jetesë të dinjitetshme.
“Dikur lirinë e vendit e kishim ide e projekt, ndërsa tani falë sakrificës shekullore të popullit, tash e sa kohë shtetin tonë e kemi realitet, por, si qytetar të këtij vendi e kemi obligim që ta bëjmë më të mirën për vendin tonë, që ta bëjmë atë të jetueshëm për të gjitha kategoritë e shoqërisë. Braktisja e vendit nuk është zgjidhje e duhur, sidomos nga të rinjtë dhe ekspertët tanë. Jeta në këtë botë nuk ka për qëllim kryesor e mision vetëm anën materiale. Dashtë Zoti që vendi ynë, me angazhimin tonë, të bëhet vend ku jetohet e punohet me dinjitet”, u shpreh Naim Tërnava, Kreu i BIK – Myftiu i Kosovë.
Falja e Namazit të Bajramit u fal edhe në vendin e shenjtë në Mekë. Miliona mysliman në gjithë Botën festuan festën e Bajramit në ditën e njëjtë pas agjërimit të muajit të Ramazanit.