Në 80- vjetorin e lindjes kujtojmë dr. Halit Halimin (1943 – 2019)

Për nder të 80 vjetorit të lindjes

𝗛𝗮𝗹𝗶𝘁 𝗛𝗮𝗹𝗶𝗺𝗶 (1943-2019)

Gjuhëtar dhe profesor. Ka lindur në Miratoc të Preshevës. Studimet universitare i ka ndjekur në Sorbonë të Francës (1971-1973). Në studimet e doktoraturës është diplomuar në fushën e fonetikës, duke e mbrojtur tezën “Phonetique et phonologie de l’albanais en vue d’une étude contrastive avec le français standard” në vitin 1990, në Sorbonë. Në Paris, në Institutin Kombëtar për studime Orientale është diplomuar edhe për letërsi e civilizim rumun. Në Universitetin e Zarës ka kryer pedagogjinë e përgjithshme (1970). Në Degën e Gjuhës dhe Letërsisë Frënge të Universitetit të Prishtinës ka filluar të punonte që nga viti 1974 si ligjërues dhe profesor për lëndët Fonetikë frënge dhe Leksikologji. Studimet e tij i takojnë fushës së fonetikës dhe të fonologjisë, përfshirë punimet: “Zanoret hundore dhe roli i tyre fonetik” (1972); “Traveaux de l’Institut de Linguistiques et phonologique de Paris” (1980); “Shqiptimi i bashkëtingëlloreve frënge nga shqipfolësit” (1987); “Analiza kontrastive e zanoreve hundore në shqipe” (1987); dhe “Timbri i zanoreve si çështje për shqiptim të njësuar” (1994), “Parametres acoustiques de l’accent en Albanais, Étude experimentale” (2008).

(Sipas FEK)