Javën që vjen do të publikohet lista e plotë e ekspertëve dhe anëtarëve të grupit punues për ndryshimet kushtetuese. Pas formimit do të ketë një mbledhje konstituive ku edhe do të vendosen konturat e procesit të ndryshimeve. Ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga i bën thirrje të gjitha subjekteve që t’i bashkëngjiten procesit.
“Gjatë javës së ardhshme do të publikohet lista e plotë e ekspertëve, anëtarë të grupit punues për ndryshimet kushtetuese, ku do të marrin pjesë të paktën ish kryetarë të gjykatës kushtetuese, ish anëtarë, ekspertë të fushës, që të gjithë profesionist dhe kuadro adekuat të cilës kanë punuar në ndryshime kushtetuese. Pasi të kompletohet grupi, në koordinim me anëtarët e të gjitha institucioneve dhe ekspertët do të caktojmë edhe mbledhjen konstituive pas çka do të vijojnë edhe punimet e mëtejme”, tha Krenar Lloga, Ministër i Drejtësisë.
Ministri i Jashtëm, Bujar Osmani tha se të gjitha çështjet duhet diskutuar brenda grupit punues, por që sipas tij tani momenti është për tejkalimin e pengesave Evropiane dhe se nuk dëshiron që kërkesat si ajo për heqjen e 20% të merren alibi për pengesa. Osmani shtoi se për çështjen e gjuhës shqipe mund të flitet edhe në një situatë tjetër, për shkak se ka disponim të përgjithshëm për një gjë të tillë.
“Nëse do të mundet, do të ishte shumë mirë. Duke i njohur rrethanat, duke pasur më tepër informacione edhe për qëllime destruktive të disa strukturave për të penguar rrugën Evropiane dhe për të dëmtuar strukturat pro Evropiane në vend, mendoj se mund të keqpërdoret si temë. Mendoj se duhet të jemi të vëmendshëm. Nuk thash se duhet apo nuk duhet. Të gjitha çështjet që kanë partitë politike le t’i shprehin në komision. Nëse kanë qëndrime dhe nuk bëhen pjesë e komisionit, ata nuk duan ndryshime kushtetuese”, theksoi Bujar Osmani, Ministër i Jashtëm.
Nga Alternativa këmbëngulin se kushti i tyre për pjesëmarrje në procesin e ndryshimeve kushtetuese është pranimi i amendamentit të tyre i cili parashikon mos vjetërsimin e veprave shpërdorim me detyrën zyrtare.
Kategorike kundër ndryshimeve kushtetuese mbetet VMRO-DPMNE-ja, ndërsa Lëvizja Besa kushtëzon me 20%, kusht të cili i është bashkuar edhe fraksioni brenda BDI-së. për momentin shumica parlamentare gëzon vetëm 65 vota për ndryshimin e aktit më të lart juridik./Alsat.mk