
Ndonëse në vitin e dytë të luftës me Rusinë, Ukraina po përgatitet sërish të rinisë eksportin e energjisë elektrike, një produkt ky që arriti në nivele rekord në bursa, në muajt e parë të nisjes së të ashtuquajturit “operacion special”.
Pas më shumë se 6 muajsh ndërprerje, kjo për shkak dhe të dëmtimit të rëndë të infrastrukturës, Ministri i Energjisë në Ukrainë, Herman Halushchenko paralajmëron një rifillim të eksportit të energjisë, duke nënshkruar dhe një urdhër ekzekutiv që autorizon nisjen e këtij procesi.
Ai tha se sistemi ka prodhuar përtej kërkesave për pothuajse dy muaj dhe se ukrainasit tani nuk po përballen me kufizime të energjisë.
Muajin e kaluar në Ukrainë u raportua se furnizimet me energji u bënë më të qëndrueshme. Por, pavarësisht përmirësimit të gjendjes, operatori kombëtar i rrjetit elektrik, Ukrenergo, ka paralajmëruar ukrainasit se shteti nuk duhet të presë që Rusia të ndalë sulmet ndaj infrastrukturës energjetike.