Tregtarët e fruta-perimeve me fatura të rrejshme në dogana me qëllim të pagesës më të lirë

Tregtarët me shumicë të fruta-perimeve që kanë importuar nga shtetet e rajonit, kanë dhënë fatura të rrejshme në dogana me qëllim të pagesës më të lirë. Kjo u tha nga Ministri Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, i cili pasi zhvilloi takim me importuesit, tha se u detektua se për disa muaj me radhë, madje dhe vite janë deklaruar fatura të manipuluara nga tregtarët dhe nga java e ardhshme do të ketë korrigjim të çmimeve. Kjo nënkupton se në disa nga 11 artikujt me çmime të ngrirë të fruta perimeve pritet të ketë rritje nga java ardhshme, posaçërisht për domatet dhe trangujt për 30 denarë, ku Qeveria do të korrigjoj vendimin.

“Importuesit në të kaluarën, posaçërisht muajve të fundit kanë dhënë fatura tjera në doganat tona dhe të tjera kanë pasur që i kanë blerë produktet nga shtetet e rajonit. Me këtë kanë bërë konkurrencë jo lojale kundrejt prodhuesve vendor për shkak të përfitimit nga tarifat doganore që nuk vazhdojnë vetëm për shtetet e CEFTA-s duke përfshirë Shqipërinë dhe Serbinë, por edhe për tjerat sepse për fruta perimet kemi pagesë të doganës, përveç tatimit vetëm 5% të TVSH-së dhe kanë dashur ti shmangin taksat doganore”, tha Kreshnik Bekteshi, Ministër i Ekonomisë.

Kjo çështje doli tre ditë pas ngrirjes së çmimeve, pasi shitësit me pakicë nëpër tregje refuzonin të shisnin fruta-perimet me ulje drastike nga ato kosto që kanë paguar tek shitësit me shumicë. Madje, në tregje edhe sot fshehin çmimet për tu mos gjobitur nga inspektorët, kurse shesin me çmime të larta si më parë.

“Nëse ata i limitojnë çmimet duhet ta bëjë këtë që nga prodhuesi, pastaj tek importuesit dhe tregtarët me shumicë dhe duhet gjithashtu të limitojnë importin që të mbroj kultivimin e prodhimeve vendore”.

“Nuk mundesh të luash me buqit vendor, për ata që kultivojnë duhet të kujdesemi, tu blejmë traktorë dhe pajisje tjera dhe jo prej tyre të blejnë mercedesa. Ata mezi jetojnë, por bujqit duhet të jenë gazdë”.

Nga 28 marsi deri më sot, tregtarët kanë filluar të tregojnë faturat reale të importit të fruta-perimeve. Tregu vendor i fruta-perimeve nga importi varet deri në fund të prillit, derisa të kultivohen produktet tona.

“Kaos gjithandej, ata iu ngrinë çmimet, këta nuk i respektojnë i mbajte të lartë, çmime absurde 100 denarë kg trangujve, më vjen keq për ata që nuk mund ti paguajnë”.

“Nëse do kisha pagë të Maqedonisë do të thosha se është vështirë për të jetuar dhe për ti përballuar këto çmime për të blerë gjërat elementare që më duhen”.

Pas takimit, përfaqësuesit e depove të mëdha që kontrollojnë tregun e shitjes me shumicë nuk deshën të flasin, por lëvizën me makinat luksoze. Sipas kreut të ekonomisë, ata do të ndiqen për evazion fiskal me fatura të dyfishta, gjë e cila paraqet vepër penale dhe gjobë mbi 10 mijë euro, për të cilat duhet të veproj Drejtoria e Doganave sipas kompetencave të tyre. Jo zyrtarisht, mësojmë se ky evazion bëhet nga 2007. /Alsat.mk