Korridori 8/ Ëndrra e Ali Ahmetit për unazën e madhe shqiptare

“Ishte ëndrra e tij (Ali Ahmetit) dhe na e mundësoi ta realizojmë”, ishte fjalia e fundit e Artan Grubit, Zëvendëskryeministrit të parë të Qeverisë në Maqedoninë e Veriut, në ceremoninë e gurthemelit të Korridorit 8.

“Bac u kry, kryetar edhe kjo punë”, iu drejtuar Grubi, Ali Ahmetit, Kryetarit të partisë Bashkimit Demokratik për Integrim, i cili njihet edhe si arkitekti i këtij projekti, mbështetës i plotë dhe shumë i fuqishëm i ekzekutivit maqedonas për të shtyrë përpara projektin e Korridorit 8. Projekt infrastrukturor që, veç tjerash, ndërlidhë përmes linjave rrugore gjithë hapësirën shqiptare në Maqedoni me pjesën e Shqipërisë dhe më gjerë.

Grubi, i cili kurorëzoi bashkimin më të madh infrastrukturor të shqiptarëve, në ceremoninë e gurthemelit në Tetovë tha se ky projekt është vetëm një fillim i mbarë i një pune të madhe që nga pavarësia e shtetit.

“Jam i lumtur që qëndroj këtu para jush si udhëheqës i Komitetit për Realizimin e Negociatave për Ndërtimin e Projektit Korridori 8 dhe 10 D”.

“Falënderoj kolegët ministra, sidomos ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që qëndron gjithmonë pas projekteve dhe ideve tona, partnerët tanë mbikëqyrës dhe gjithë bashkëpunëtorët që marrin pjesë në këtë projekt. Ky projekt është vetëm një fillim i mbarë i një pune të madhe, më e madhja që nga shpallja e pavarësisë së Maqedonisë së Veriut”, tha Grubi.

Veç Grubit në këtë ceremoni të organizuar nga qeveria maqedone e me shumë pjesëmarrës, fjalën e mori edhe Ali Ahmeti. Kryetari i BDI-së tha se të bësh punë të mira për njerëzit është mrekulli.

“Të bësh më të mirë jetën e njerëzve, lëvizjen e tyre, të përparosh dhe ndikosh drejtpërsëdrejti në zhvillim e ekonomi e sidomos të lidhësh më ura e brigje një Ballkan të tërë është punë e ndritshme që do të shërbej edhe më tepër në lidhje më të forta miqësore, ekonomike e zhvillimore. Kjo është mrekullia”, u shpreh i emocionuar Ahmeti, për nisjen e këtij projekti për të cilin kishte folur e lobuar me vite të tëra.