Ministria për Arsim dhe Shkencë ka sqaruar që nxënësit e shkollave fillore do të kenë dy afate për regjistrim në shkollat e mesme në Maqedoninë e Veriut, transmeton Portalb.mk.
“Paraqitja dhe regjistrimi i nxënësve do të bëhet në një afat regjistrimi me dy paraqitje edhe atë paraqitja e parë në muajin qershor, më 20 dhe 21 qershor dhe paraqitja e dytë më 27 dhe 28 qershor 2023”, raportoi Ministria në lidhje me afatet e Konkursit.
Nxënësit duhet të aplikojnë përmes adresës elektronike e-uslugi.mon.gov.mk nga llogaritë schools.mk.
“Në shkollat ku do të paraqiten numër më i madh i nxënësve se numri i planifikuar, të cilët plotësojnë kushtet e përcaktuara, do të organizohet testim kualifikues sipas materialit mësimor nga klasa e tetë dhe e nëntë”, sqaroi Ministria.
Raportohet që për vitin e ardhshëm shkollor 2023/24 janë 29 798 vende të lira në 937 paralele, ashtu që 20 608 vende për mësim në gjuhën maqedonase, ndërsa 8 301 në gjuhën shqipe.