Vendimi i Gjykatës Kushtetuese i cili i hap rrugën rritjes së madhe të pagave të personave të zgjedhur dhe të emëruar ka vazhduar të ngjallë reagime politike por edhe në opinion. Ekonomisti Abil Baush vlerëson se rritja e pagave nuk do të ndikojë në zbutjen e inflacionit.
“Në momentin kur ne marrim masa për kufizimin e çmimeve të disa produkteve bazë dhe nga ana tjetër kur marrim edhe disa masa të tjera për ta zbutur inflacionin në vendin tonë, paraqitet një realizim i një vendimi të Gjykatës Kushtetuese i cili do të duhet t’i rrisë pagat për disa përqindje jashtëzakonisht shumë të mëdha dhe kjo në aspektin ekonomik do të thotë më shumë para në treg, gjë që automatikisht nuk e ngadalëson inflacionin por do të mbajë inflacionin aty ku është për momentin. Aspekti tjetër social është se ne gjendemi para një situatë e lidhur me pjesën ekonomike që të gjithë sektorët publik kërkojnë rritjen e pagave deri në 20-30%, gjë që e nxit inflacionin edhe më shumë”, tha Abil Baush, ekonomist.
Baush vlerëson se kjo rritje e lartë e pagave që lidhet direkt me funksionarët e zgjedhur dhe të emëruar është joetike.
“Arsyetimi i tyre është se dhe ato janë njerëz dhe do të duhet t’ju rritet paga por duke e marrë parasysh rrogën mesatare, standardin jetësor të popullatës tonë, shportën e konsumit dhe të gjitha ato që janë nën atë standardin jetësor të cilin e kanë qytetarët tanë, është joetike që në këtë moment të rriten rrogat për 80%”, shtoi ai.
Rrija automatike e pagave të funsksionarëve të zgjedhur dhe të emëruar erdhi pasi Gjykata Kushtetuese shfuqizoi nenin që përcaktonte se baza për llogaritjen e pagës është fikse, pasi Gjykata konstatoi se për bazë ekzistojnë dy norma njëkohësisht, ndaj mbeti në fuqi ajo sipas së cilës baza përcaktohet sipas pagës mesatare të fituar në vitin paraprak të caktuar nga Enti Shtetëror i Statistikave. Kjo nënkupton që paga e presidentit Pendarovski nga 93.000 denarë do të arrijë në 165.000 denarë. Pagat e kryeministrit Dimitar Kovaçevski dhe kryetarit të Kuvendit Talat Xhaferi do të jenë 150.000 denarë, ministrat do të marrin rreth 110.000 denarë, ndërsa zyrtarët e tjerë dhe gjykatësit rreth 100.000 denarë.
PAGAT E FUNKSIONARËVE
• Presidenti Pendarovski nga 93.000 denarë do të arrijë në 165.000 denarë rrogë
• Kryeministri Dimitar Kovaçevski dhe kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi – nga 150.000 denarë
• Ministrat do të marrin rreth 110.000 denarë
• Zyrtarët e tjerë dhe gjykatësit rreth 100.000 denarë
Qeveria thotë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese duhet të respektohet por që rritja mos të ndodhë, ata do të shqyrtojnë uljen e koaficiontit. Të njëjtën gjë e përsëritën edhe nga LSDM-ja
“Po, LSDM-ja si parti në pushtet beson në drejtësi në çështjen e pagave të të gjithë aktorëve në shoqëri por e kemi thënë po ashtu se do të fokusohemi dhe do të shqyrtojmë mundësinë ligjore për uljen e koeficientit”, tha Bogdanka Kuzeska, LSDM.
Shqetësimin për këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese i pari e ngriti Presidenti Pendarovski dhe kërkoi rishikim të koeficientit të pagave./Alsat.mk