Me një protestë që simbolikisht do të fillojë në “5 minuta para 12:00” para Ministrisë së Shëndetësisë, punonjësit e shëndetësisë, siç paralajmëruan, sot do të shprehin pakënaqësinë e tyre për aneksin ende të panënshkruar të kontratës kolektive, që parashikon rritje të pagës së tyre në përputhje me rritjen e pagës minimale.
Protesta organizohet nga Sindikata e Pavarur për Shëndetësi, Farmaci dhe Mbrojtje Sociale pranë Sindikatës së Sindikatave të Maqedonisë.
“Ora në të cilën organizohet protesta është simbol i faktit se pas gjithë punës dhe qasjes së arsyetuar ndaj Ministrisë së Shëndetësisë si partner social në gjashtë muajt e fundit, tashmë është koha për të realizuar nënshkrimin aktual të aneksit për ndryshimin dhe plotësimin e kontratës kolektive për veprimtarinë shëndetësore”, thuhet në njoftimin e SPSH-së.
Sindikata e Punëtorëve Shëndetësorë (SPSH) paralajmëroi paraprakisht protestën e sotme tashmë të hënën, kur njoftoi se nëse deri të mërkurën (29 mars) nuk nënshkruhet kontrata kolektive, punëtorët shëndetësorë do të shprehin revoltën e tyre në protestë të enjten.
Lidhur me protestën e paralajmëruar përfaqësues të Sindikatës i kanë dërguar një shkresë zyrtare Ministrisë së Shëndetësisë në të cilën ndër të tjera kanë sqaruar se protesta kushtëzohet me nënshkrimin e aneksit.