Zelensky: Rusia shkatërroi rreth 500 kisha dhe objekte fetare të besimeve të ndryshme

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se gjatë agresionit ushtarak, rusët shkatërruan rreth 500 kisha dhe objekte fetare të besimeve të ndryshme.

“Qindra objekte fetare u shkatërruan, u dëmtuan ose u plaçkitën si rezultat i pushtimit rus të Ukrainës. Të gjitha fetë dhe besimet u prekën, duke përfshirë kishat, xhamitë, sinagogat dhe ndërtesat arsimore dhe administrative të komuniteteve fetare në Ukrainë”, tha Zelensky.

Sipas presidentit të Ukrainës, të gjitha këto janë vetëm objektiva për Rusinë dhe se nuk i sheh ndryshe.

“Por raketat dhe artileria e shtetit terrorist nuk e thyen njerëzimin dhe besimin tonë. Ukraina do të fitojë, jeta do të fitojë”, theksoi Zelensky.

Në anën tjetër, këto ditë në Ukrainë kanë arritur dhjetëra tanke të prodhimit gjerman dhe britanik, përkatësisht Leopard 2 dhe Challenger, për të cilat falënderuan ukrainasit miqtë në Berlin dhe Londër.

U publikuan edhe pamje të këtyre tankeve, të cilat ishin kërkuar nga Kievi nga fillimi i luftës dhe thuhet se do ta ndryshojnë rrjedhën e luftës në këtë vend.