Spasovski: Do të shqyrtohet mundësia për vendosje të ngjitësve NMK në targa

Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski në intervistë për REL tha se mund të merret vendim në lidhje me targat, që nuk do të ndikojë financiarisht te qytetarët.

Spasovski thotë se detyrimi për ndërrimin e targave nga MK në NMK vjen nga Marrëveshja e Prespës, ndërkaq pas reagimeve se kjo do t’i kushtonte qytetarëve rreth 11 milionë euro, Spasovski tha se se po shqyrtohet mundësia që të vendosen ngjitëse në tabelat aktuale.

“Ne e dimë që detyrimi është që ndryshimi i targave të bëhet deri në vitin e ardhshëm, siç është edhe me dokumentet dhe mendojmë se në një kohë shumë të shkurtër do të kemi një zgjidhje që do të ishte e favorshme për qytetarët. Të paktën kështu shpresoj dhe pres që, nga ana tjetër, të vendosen norma dënimesh të rrepta për të gjithë ata që nuk do ta respektojnë këtë si zgjidhje. Duhet të bëjmë një kombinim që do të jetë në interes të qytetarëve, por edhe të ketë përgjegjësi serioze. Pra, afishet-ngjitëset janë një nga opsionet, por kur të merret vendimi dhe zgjidhja, do t’ua shpallim qytetarëve”, thotë ministri Spasovski në një intervistë për REL.