Përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare në Maqedoninë e Veriut kanë intensifikuar mesazhet drejtuar partive politike, në veçanti atyre në opozitë, mbi nevojën e mbështetjes së ndryshimeve kushtetuese.
Ndryshimet duhet të bëhen për përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën e Kushtetutës maqedonase, si popull shtetformues, ashtu siç parashihet me marrëveshjen me Bullgarinë, bazuar në atë që njihet si “propozimi francez” për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes dy shteteve për identitetin maqedonas, gjuhën dhe dallimet historike.
Për këto ndryshime duhet të votojnë dy të tretat, apo 80 nga 120 deputetët e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut. Por, shumica parlamentare aktualisht ka 74 vota, që do të thotë se pa votat e opozitës ndryshimet nuk mund të bëhen.
Zyrtarët maqedonas tani shpresojnë në një trysni më të madhe nga diplomatët perëndimorë për të bindur opozitën që t’i mbështesë këto ndryshime.
Opozita që kryesohet nga VMRO DPMNE-ja ka refuzuar të marrë pjesë në grupin e ekspertëve që do të hartojë amendamentet kushtetuese.
“Ne sërish i bëjmë thirrje opozitës që të caktojë ekspertët që ata u besojnë që të jenë pjesë e grupeve të punës. Ne do t’i presim, por jo në pafundësi, sepse procesi i hartimit të amendamenteve kushtetuese duhet të nisë që ndryshimet të miratohen deri në vjeshtë”, ka deklaruar zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq.
VMRO DPMNE-ja ka thënë se askush nuk ka marrë mandat në zgjedhje për ndryshimin e Kushtetutës.
“Së pari duhet të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare, në të cilat partitë do t’i prezantonin qëndrimet e tyre edhe për ndryshimet kushtetuese, dhe fituesi i zgjedhjeve më pas të veprojë në bazë të vullnetit të popullit”.
Sipas hulumtimeve të fundit të opinionit publik pjesa dërrmuese e maqedonasve të anketuar janë kundër ndryshimit të Kushtetutës. Rënie ka shënuar mbështetja për Bashkimin Evropian nga rreth 80 për qind në afër 60 për qind – krahasuar me periudhën e para vetos bullgare të nëntorit të vitit 2020.
Opozita kërkon garanci se Bullgaria, si shtet anëtar i BE-së nuk do të paraqesë kërkesa tjera në vazhdim të procesit të integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut.
Në media është raportuar për takime mes kreut të kësaj partie, Hristijan Mickovski, dhe ambasadorit të BE-së, David Geer, për nevojën për ndryshime kushtetuese, por kjo është mohuar nga opozita maqedonase ndërsa ambasadori evropian ka thënë se është në kontakt me të gjitha partitë, pa saktësuar nëse e ka takuar atë.
“Çështja e ndryshimeve kushtetuese është një vendim sovran që duhet të merret nga ky vend. Ne flasim për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me të gjitha palët e interesuara, por edhe një herë dëshiroj të mos hyj në detaje të bisedave që kemi me liderë apo anëtarë të partive politike. Mjafton të themi se ne duam ta shohim këtë vend në BE, rruga është e hapur dhe tani kemi një mundësi të madhe dhe tani është koha për të përfituar nga ajo mundësi”, ka deklaruar Geer.
Thirrje për miratimin e ndryshimeve kushtetuese kanë bërë edhe përfaqësuesit e SHBA-së, në të gjitha takimet me zyrtarët maqedonas.
Njohësit e çështjeve politike thonë se ndërkombëtarët do të jenë ata që do të arrijnë të sigurojnë votat e nevojshme për ndryshimin e Kushtetutës, ngjashëm sikur që arritën të siguronin mbështetjen për zbatimin e marrëveshjes me Greqinë për ndryshimin e emrit nga Maqedoni në Maqedoni të Veriut që ishte arritur më 17 qershor 2018, pas 27 vjet pritjeje.
Por, Arsim Sinani, njohës i çështjeve politike thotë se në këtë proces duhet të përfitojnë edhe shqiptarët në avancimin e mëtejmë të statusit të tyre.
“Kushtetuta u hap me Greqinë [për ndryshimin e emrit të shtetit] dhe shqiptarët nuk përfituan asgjë, ndërsa tani do të hapet me Bullgarinë dhe nëse shqiptarët nuk arrijnë të bëhen themeltar mendoj se do të jetë një proces që sërish do të mbetet pezull për shkak se shqiptarët janë rritur numerikisht, andaj edhe kërkojnë të drejtat e tyre që të jenë themeltar të Maqedonisë së Veriut”, thotë ai.
Në rast se miratohen ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e pakicës bullgare në të, atëherë Maqedonia e Veriut do të vazhdojë bisedimet me BE-në për çështjet që kanë të bëjnë me kapitujt dhe kriteret tjera që parashihen në procesit e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.