Ndahet nga jeta Muhamed Kaba, dy mandate kryetar i sukseshëm i Dibrës

Dje në moshën 82 vjeçare ka ndërruar jetë Muhamed Kaba, i njohur si Meti i Kabës, i cili njihet si kryetar i komunës së Dibrës për dy mandate në të kaluarën.

Ai ishte një personalitet i shquar në komunën e Dibrës, që dibranët e njihnin si njeri me virtyte të larta njerëzore dhe shoqërore. arsimdashës, ekonomist dhe profesionist i perkryer, duke lënë gjurmë në menaxhim dhe funksionim me sukses të komunës.

Biografia

Muhamed Kaba u lind më 3.2.1941, në Dibër. Shkollën fillore e kreu në vendlindje,Dibër, në gjuhën shqipe.

Shkollën e mesme-Teknikumin Ekonomik e kreu në Shkup, në gjuhën maqedone. Në Shkup vazhdoi dhe studimet e larta në Fakultetin Ekonomik, pranë UKM, gjithashtu në gjuhën maqedone. U diplomua po në këtë fakultet, në Shkup, me notën mesatare 9.26, duke u renditur i dyti në gjeneratë dhe mori diplomë speciale.
Pas diplomimit u kthye në vendlindje, në Dibër, në fabrikën për prodhim të qilimave, ku realizoi disa programe në investime për zgjerim të kapaciteteve prodhuese me teknologji gjermane, franceze, italiane, polake dhe angleze.

Gjatë kësaj kohe fabrika rriti numrin e të punësuarve deri në 1.000 veta. Si ekspert i ekonomisë, përgatiti dhe realizoi disa programe investimesh edhe në disa ndërmarrje në Dibër, si: në industri, bujqësi, ndërtimtari dhe transport. Në prill të vitit 1974, në zgjedhjet e rregullta, në moshën 33 –vjeçare, u zgjodh kryetar i komunës së Dibrës.

Mandati i parë i tij mbaroi në prill 1978. Si rezultat i sukseseve maksimale, u rizgjodh kryetar i komunës së Dibrës, edhe për një mandat të dytë 1978-1982. Mandatin e dytë, gjithashtu e mbaroi me rezultate dhe vepra konkrete, si në ekonomi, arsim, kulturë, sport, shëndetësi,urbanistikë etj.
Periudha1974-1982, kur komunën e Dibrës e drejtoi z.Muhamed Kaba, është periudhë e artë e zhvillimit të kësaj komune.
Gjatë periudhës 2001-2005, punoi si ligjërues pranë Fakultetit Ekonomik, Universiteti i Tetovës, për lëndët Matematika, Kontabiliteti dhe Statistika.
Ka ligjëruar edhe në Fakultetin Ekonomik të UT, pas përfundimit të studimeve universitare në Fakultetin Ekonomik të Universitetit UKM-Shkup, ku mori titullin Magistër i Shkencave Ekonomike.