Ngrirja e çmimeve është politikë e gabueshme e autoriteteve, shprehen Odat Ekonomike në vend. Dy nga organizatat e kompanive private kundërshtojnë masat e Qeverisë për ngrirjen e çmimeve të produkteve bazë. Oda Ekonomike vlerëson se masat sociale që shteti do t’i zbatojë për të zbutur krizën ekonomike të konsumatorëve, nuk duhet të jetë në dëm të kompanive private. Zoran Jovanovski nga Oda Ekonomike tha se në një shtet me treg të hapur nuk duhet të ngrijnë çmimet për të gjithë konsumatorët, që disa mezi arrijnë t’i blejnë, ndërsa një kategori tjetër mund ta paguajnë edhe pesëfishin e të njëjtave çmime.
“A është obligim i furrtarit, blegtorit apo dikujt nga industria ushqimore të kujdeset për statusin social të qytetarëve?! Përse ajo të jetë vetëm në shpinën e atyre që merren me industri ushqimore!? Përse ajo të mos jetë edhe për sektorët tjerë. Nëse jemi ekonomi me treg të hapur duhet të ulemi për tu marrë vesh pas krizës financiare dhe energjetike, ne si ekonomi e vogël këtë situatë do ta tejkalojmë.”, deklaroi Zoran Jovanovski, Oda Ekonomike.
Nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore thonë se konsumatorët duhet të ndihmohen, por jo me ngrirje të çmimeve. Në vend të kësaj mase, OEMVP-ja vlerëson se Ministria e Ekonomisë duhet të dalë me propozimin për heqjen e plotë të tatimit të vlerës së shtuar.
Për produkte të caktuara ushqimore, akoma është aktive marzha e TVSH-së në 5% të tregtisë me shumicë dhe 10% të tregtisë me pakicë. Shteti ka ulur normën e vjeljes së tatimit nga produkte të caktuara për të ndikuar në uljen e çmimit të të njëjtave. Por, edhe pse janë në listën pozitive me marzhë të TVSH-së sërish disa produkte ushqimore mbeten të shtrenjta dhe të pa përballueshme për xhepat e qytetarëve.
Njohësit e rrethanave ekonomike bëjnë thirrje që shteti të shpërndajë ndihmë direkt te qytetarët dhe mos të subvencionoj kompanitë private, të cilat 85% nuk iu përmbajtën marrëveshjes për ulje të çmimeve edhe pse shfrytëzuan rrymën më paranë publike për 3 muaj.