Korrupsioni mbetet shqetësimi kryesor në Maqedoni, thuhet në raportin e DASH

Qeveria e RMV-së ka ndërmarrë hapa për të identifikuar, hetuar, ndjekur penalisht dhe ndëshkuar zyrtarët që kanë kryer abuzime ose kanë marrë pjesë në korrupsion, thuhet në raportin e fundit të Departamentit të Shtetit për të drejtat e njeriut në Maqedoni në vitin e kaluar 2022.

Raporti shton se sondazhet publike e listojnë vazhdimisht korrupsionin si një nga shqetësimet kryesore për qytetarët në Maqedoni.

Në të theksohet se edhe pse vendi ka ligj që parasheh dënime penale për korrupsionin, megjithatë ekzistojnë raporte për funksionarë që janë të përfshirë në korrupsion.

Vëzhgimet kryesore të Departamentit Amerikan të Shtetit kanë të bëjnë me mungesën e përgjegjësisë për dhunën gjinore dhe në familje, trajtimin çnjerëzor dhe degradues dhe mbipopullimin në burgje, dhunën dhe kërcënimet me dhunë ndaj gazetarëve dhe kërcënimet me dhunë të drejtuara ndaj anëtarëve të komunitetit LGBT. “Grupe të ndryshme vendase dhe ndërkombëtare për të drejtat e njeriut në përgjithësi vepronin pa kufizime të qeverisë, duke hetuar dhe publikuar gjetjet e tyre mbi rastet e të drejtave të njeriut. Zyrtarët qeveritarë ishin disi bashkëpunues dhe të përgjegjshëm ndaj pikëpamjeve të tyre”, thuhet ndër të tjera në raport.