RMV, do të amnistohen mijëra shkelës të masave Covid

Rreth 300 persona mund të përfundojnë në burg pasi nuk kanë shlyer gjobat për shkeljen e rregullave të pandemisë Covid 19. Deri më tani, Gjykata Themelore Penale ka miratuar 280 zgjidhje zëvendësuese për mos pagimin e gjobës, e cila është zëvendësuar me burgim të 280 personave. Për të kapërcyer këtë situatë, një grup deputetësh nga shumica parlamentare kanë propozuar një ligj për amnisti, me të cilin propozohet që këto dënime të zëvendësohen me dënim me kusht.

“Është masë alternative, e cila nënkupton kushtëzim. Ajo është përgjegjësi penale, është periudhë dy vjeçare kur nuk guxohej të bëhen vepra të tilla penale, të njëjta ose të ngjashme”, deklaroi deputeti, Panço Minov.

Mirëpo për deputetët e opozitës ky propozim ligj është i vonuar dhe diskriminues, pasi nuk ofron zgjidhje për ata që kanë paguar gjobat ose kanë vuajtur dënim me burg.

“Nëse ky ligj miratohej para gjashtë muajve, ndoshta diskriminimi do të ishte në minimum, pasi deri atëherë, ndoshta, gjobat do t’i kishin paguar vetëm 100 persona ose dënimin me burg mund ta kishin vuajtur vetëm 20 persona, por sot kemi ndoshta 400 persona që kanë paguar gjobat ose kanë vuajtur dënimin me burg. Sa më shumë kohë që kalon diskriminimi është më i madh”, theksoi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshovski.

“Komentet e këtilla se ligji është diskriminues, se kush do t’ua kthen paratë atyre që i kanë paguar gjobat, nuk korrespondojnë as me qëllimin as me thelbin e këtij ligji”, u shpreh Snezhana Kolevska Vançevska nga LSDM.

Teksti i propozuar i ligjit nuk parashikon një amnisti për personat juridik dhe personat përgjegjës në personat juridik të dënuar me aktgjykim të plotfuqishëm të gjobës me para.

Për krimet e përmendura në nenin 205 “Transferimi i sëmundjes infektive” dhe neni 206 “Mosveprimi sipas rregullave të shëndetit gjatë epidemisë” nga Kodi Penal, parashihej gjobë deri në dy mijë euro. Nëse gjobat nuk paguhen brenda 2 viteve, gjykatësi për ekzekutimin e sanksioneve e zëvendëson vendimin me një vendim me burgim.