Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski sot në Shkup priti dhe u takua me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri dhe Josep Borell dhe Komisionerin për Politika Fqinjësore dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi.
Siç njotojnë nga Qeveria, në takim u bisedua për rëndësinë e hapit të ardhshëm të Maqedonisë së Veriut në integrimet evropiane, si çështje me rëndësi për perspektivat e vendit tonë dhe për stabilitetin e rajonit dhe Evropës.
“Kryeministri Kovaçevski falënderoi përfaqësuesit e lartë evropianë për kontributin e tyre, si dhe partnerët evropianë, për suksesin e përbashkët në hapjen e negociatave të Maqedonisë së Veriut me Bashkimin, korrikun e kaluar”.
“Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, siç theksoi kryeministri Kovaçevski, është e fokusuar në agjendën evropiane, punon në zbatimin e reformave, në avancimin e marrëdhënieve fqinjësore në frymën e vlerave evropiane dhe është e përkushtuar për suksesin në hapin tjetër në integrimin evropian”, thuhet në njoftim. Takimi i kryeministrit me përfaqësuesit evropianë u zhvillua para fillimit të takimit të gjashtëmbëdhjetë të Këshillit të Stabilizim Asociimit ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian, i cili do të mbahet sot në Shkup, i cili do të kryesohet nga Kryeministri Dimitar Kovaçevski dhe përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri dhe nënkryetari i Komisionit Evropian, Josep Borell.