Nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme, “ëndërra” për kryeministër shqiptar bëhet realitet në vitin 2024!

Zgjedhje të parakohshme parlamentare nuk do të ketë, të vendosur janë partnerët e koalicionit qeveritarë LSDM, BDI dhe ASH. Nëse zgjedhjet mbahen në afat të rregullt, ato duhet të jenë në tetor të vitit 2024. Është e mundur që zgjedhjet parlamentare të mbahen bashkë me zgjedhjet presidenciale, me ç’rast ato do të mbaheshin në prill të vitit 2024. Si në rastin e parë ashtu edhe në atë të dytë, mbeten të paktën nëntë muaj deri në emërimin e një qeverie teknike me një kryeministër shqiptar, shkruan PRESSonline.mk

Zëvendëskryeministri i pare i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi në paraqitjen e tij të fundit televizive ka deklaruar se Maqedonia e Veriut do ta ketë së shpejti një kryeministër shqiptar.
Ai ka theksuar se në vitin 2020, ishte bërë një marrëveshje nga BDI dhe Zoran Zaev, që në 100 ditëshin e fundit të qeverisjes, kryeministër të jetë një person i nacionalitetit shqiptar.

“Në vitin 2020, dolëm me fushatë moderne, e cila bëri jehonë në Prishtinë e Tiranë, duke thënë që ka ardhur koha për km e parë shqiptar, edhe ky një projekt i Ali Ahmetit, për t’i thyer tabutë. Ka ardhë koha t’i tejkalojmë paragjykimet me zgjedhjen e një kryeministri shqiptar. Deshti verditkti i popullit që lidhja socialdemokrate ti fiton 46 deputetë BDI 15 deputetë, të dyat bënin bashkë 61. Në marrëveshjen e koalicionin që kishim, arritëm dakordësi, me Zoran Zaev, që 100 ditëshin e fundit ai të largohej nga qeveria dhe të zëvendësohet nga një kryeministër shqiptar. Këtë e shkruam e nënshkruam, dhe doli edhe Zaev, dhe tha që do ta kemi një kryeministër shqiptar për herë të parë”, tha Grubi.

Sipas tij, marrëveshja është ende valide, dhe se një gjë e tillë i është premtuar edhe nga kryeministri aktual Dimitar Kovaçevski.

“Kovacevski, në takimin e parë ende pa u zgjedhur ai, ishte edhe Zoran Zaev, dhe të tjerë… ai u zotua në takim se e njëjta marrëveshja që ishte arritur me Ahmetin do të jetë valide dhe ia shtrënguam dorën njëri-tjetrit. Ai e ka thënë që në 100 ditëshin e fundit kurdoqoftë që është ajo, ai do të largohet nga posti, do të jetë kryetar parlamentar, dhe një shqiptar apo një shqiptare do të jetë kryeministre”, tha ai. Kryeministrin shqiptar potencoi Grubi se do ta propozojë Ali Ahmeti, transmeton PRESSonline.mk