Inspektorati i Tregut paralajmëron se do të pasojnë gjoba të mëdha për tregtarët që nuk do t’i ulin çmimet e produkteve bazë. Menjëherë pas hyrjes në fuqi të vendimeve të Qeverisë për uljen dhe ngrirjen e çmimeve të bulmetit dhe pastave, më saktë nga 16 marsi, inspektorët do të dalin në terren dhe do të veprojnë. Gjobat për mosbindje ndaj vendimeve janë prej 800 deri në 10 mijë euro, varësisht nga madhësia dhe lloji i operatorit ekonomik.
“Vendimet janë marrë në interes të qytetarëve dhe nevojave të tyre dhe do të hyjnë në fuqi më 16 mars 2023. Kjo është kohë e mjaftueshme që tregtarët të rregullojnë çmimet. Apelojmë që të respektohen vendimet, sepse në të kundërtën pa përzgjedhje do të pasojnë gjoba, të cilat sipas Ligjit të Tregtisë janë jashtëzakonisht të larta. Gjithashtu apelojmë që nëse qytetarët vërejnë ndonjë parregullsi në lidhje me çmimet e produkteve, të lajmërojnë menjëherë Inspektoratin Shtetëror të Tregut”, thonë nga Inspektorati i Tregut.