Bytyqi me mesazh për tregtarët: Nëse nuk ulen çmimet, do të vijojnë vendime për ngrirje të çmimeve

Shihet se ashtu jemi mësuar në shoqërinë tonë, gjithmonë është dita e fundit edhe kur bëhet fjalë për punë të mirë, e presim ditën e fundit, mendoj se e presin ditën e fundit por nesër në mëngjes do të shohim çmimet, kështu deklaroi zv/kryeministri Fatmir Bytyqi për afatin që tregtarët kanë për ulje të çmimit të makaronave dhe prodhimeve të qumështit për 10, respektivisht 15 për qind, përcjell TV21.

I pyetur për çmimet e produkteve tjera ushqimore, Bytyqi tha se me kalimin e sezonit të ngrohjes, çmimet e lëndëve të para në botë po bien dhe se si rrjedhojë duhet të ulen edhe çmimet e produkteve në vend, ndërsa në rast se kjo nuk ndodhë, ai tha se do të zbatojnë vendim të ri për ngrirje të çmimeve për produkte të caktuara.

“Nëse lënda e parë bie, nuk mundet që çmimet të mbeten të njëjta, çmimet duhet të ulen. Ne ashtu siç i morëm masat për produktet bazë të ushqimit, të bukës, makaronave dhe produkteve të qumështit dhe disa produkteve tjera…do t’i ndjekim edhe produktet që ju po i thoni dhe gjithsesi se nëse tregtarët dhe prodhuesit nuk reagojnë vetë, Qeveria ka shënë mesazh të qartë, qytetarët nuk do t’i lëmë vetëm dhe do të marrim vendim të ri në interes të qytetarëve”, tha mes tjerash Bytyqi.