“Lista e zezë”: Ageler – Informacionet do të vijnë nga Uashingtoni

Hetohen të gjithë personat, që të sanksionohen në mënyrë adekuate, ka deklaruar Ambasadorja amerikane në Shkup, Anxhela Ageler, pas paralajmërimeve se individë nga Maqedonia e Veriut mund të përfshihet në të ashtuquajturën “listë të zezë” amerikane për sanksione.

Ajo, sic percjell KlanM, ka konfirmuar se më shumë se një person pritet të gjendet në këtë listë.

ANXHELA AGELER – AMBASADORE E SHBA-së

“Qëndroj pas asaj që thash para disa ditëve dhe vlerësoj se është e vërtetë. Megjithatë, informacionet duhet të vijnë nga Uashingtoni. Nuk mund të jap afate kohore, e as shifra se sa do të zbulohen. Ekzistojnë më shumë lista, konform të cilave hetohen personat në kontekste të ndryshme lidhur me korrupsionin. Të gjithë ata hetohen që të sanksionohen në mënyrë adekuate”

Koordinatori për Antikorrupsion në Departamanetin Amerikan të Shtetit, Riçard Nefju, dje ishte për vizitë në Shkup, kurse ka takuar Presidentin Stevo Pendarovski dhe Kryeministrin Dimitar Kovaçevski.

Ambasadorja Ageler, sic percjell KlanM, bëri të ditur se diplomati amerikan nuk ka ardhë për t`i bërë publike emrat e personave që do të jenë në “listën e zezë” amerikane.

“Ai nuk është këtu për të zbuluar emra për “listën e zezë”. Këtu është për të diskutuar proceset, sanksionet, protokollet që qeveria e SHBA-ve ka për çështje të korrupsionit” – tha Anxhela Ageler – ambasadore e SHBA-së.

Një ekip për sanksione nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës më 6 dhjetor 2022 ka qëndruar në Maqedoninë e Veriut për të hetuar funksionarët dhe ish-funksionarët e dyshuar për korrupsion.

Në prill të vitit 2022, sic percjell KlanM, SHBA-ja vendosi sanksione ndaj shtatë personave, që u thanë se kanë qenë të përfshirë në vepra korruptive, ku në mesin e tyre ishin edhe ish-kryeministri, Nikolla Gruevski, dhe ish-drejtori i policisë sekrete, Sasho Mijallkov. /KlanMacedonia/