Pacienti më i ri në Maqedoninë e Veriut i cili shkon në dializë është i moshës 3-vjeçare, ndërkaq më i vjetri rreth moshës 90-vjeçare, tha sot Pavlinka Baliska, psikolog dhe koordinator i Shoqatës së Qytetarëve të Sëmurë nga Veshkat “Nefron” në shënimin e Ditës Botërore të Veshkës, njofton Portalb.mk.
Nga Shoqata thanë se këtë muaj, me ndihmën e institucioneve shëndetësore dhe qendrave për dializë në mbarë shteti po zbatohen aksione për ngritjen e vetëdijes për kujdesin e shëndetit të veshkave dhe nëpërmjet edukimit dhe matjeve të organizuara të sheqerit në gjak dhe tensionit të gjakut dhe ndarjes së këshillave mjekësore, falas do t’u mundësohet shumë qytetarë që në kohë t’i zbulojnë dhe të parandalojnë sëmundjet e veshkave.
Nga “Nefron” thonë se ekzistojnë 20 vite dhe kanë mbi 1.500 anëtarë pacientë në dializë dhe 240 me veshkë të transplantuar.
“Stadiumi terminal i sëmundjes kronike të veshkave është e rëndë, kërkon mjekim të vazhdueshëm dhe kujdes. Kjo gjendje cakton mënyrë të veçantë të jetesës, me shumë pengesa, me trajtime të vazhdueshme të cilat zgjasin 4-5 orë çdp të dytën ditë në qendrën për dializë. Megjithatë, dializa e vazhdon jetën, ndërkaq transplantimi e ndryshon plotësisht”, tha mes tjerash Dushko Gjorgjiev, kryetar i Shoqatës.
Vullnet Memedi nga Klinika e Nefrologjisë tha se “edhe pse Klinika çdo ditë është në kontakt të drejtpërdrejtë me pacientët që e kanë të domosdoshëm trajtimin nefrologjik, megjithatë porosia që sot e dërgojmë është se janë të domosdoshme edhe aktivitete të mëtutjeshme për shërbim edhe më të mirë shëndetësore ndaj pacientëve me sëmundje të veshkave”.