Nesër “ngrin” çmimi i pastave dhe qumështit

Të premten do të bëhet e ditur sa do të jenë çmimet e ngrira të pastave dhe produkteve të qumështit. Pas analizës një javore të Ministrisë së Ekonomisë, për makaronat dhe shpagetit pritet që ngrirja e çmimeve të jetë 10% më e ulët se sa janë aktualisht në treg. Ndërsa, për produktet e qumështit ende nuk jepen detaje se cilave saktësisht do t’u gëzohen qytetarët t’i blejnë më lirë. Ministri Kreshnik Bekteshi tha se disa prodhues tanimë vet kanë filluar t’i ulin disa çmime të caktuara për të evituar ngrirjen e tyre.

“Nesër në mëngjes do të kemi vendim për pastat dhe prodhimet e qumështit. Qytetarët të jenë të qetë, çmimet do të ulen jo vetëm të këtyre prodhimeve. Ne do të vazhdojmë për gjithë prodhimet tjera që do të na tregojnë analizat se kanë profit më të lartë ose marzhë nga ajo që është e rregullt. Mbi 10% do të ulen çmimet e pastave, për prodhimet e qumështit tregojmë nesër se shohim që edhe vetë ata i ulin çmimet”, tha Kreshnik Bekteshi, Ministër i Ekonomisë.

Duke iu referuar listës së marzhës që e thekson ministri, deri në 5% të çmimit të shitjes në tregtinë me shumicë, përkatësisht deri në 10% të çmimit të shitjes në tregtinë me pakicë, në listën e çmimeve të ngrira, bukës do ti bashkëngjitën qumështi i pasterizuar me përmbajtje yndyre 2,8%, 3,2% dhe 3,5%, djathi, gjiza, makaronat dhe shpagetit. Ndërsa, për fazën e tretë, sipas kësaj liste të marzhës, pritet që ngrirje të çmimeve të ketë për miellin – tip 400, vaj luledielli të papërpunuar, vaj lulediellin për gatim, mishit të freskët dhe prodhime të mishit të pjekur, orizit, vezëve, kripës, sheqerit dhe fruta-perimeve.

Por, krahasuar me vendet e rajonit dhe Evropës kjo ulje çmimesh me intervenim nga shteti është e vonuar sipas njohësve ekonomik. Duke u bazuar në rënien e çmimeve në bursën referente të lëndëve të para, Profesoresha Daniella Bojaxhieva, në Magazina Ekonomike tha se tregtarët priren vetëm në profit.

Nga ana tjetër, Zëvendëskryeministri për çështjet ekonomike Fatmir Bytyqi tha se kanë bërë lehtësira doganore. Subvencionimi rrymës për prodhuesit ushqimor nuk arriti plotësisht qëllimin, andaj do të vazhdohet me ngrirje të çmimeve. Ai tha që në këtë krizë bizneset duhet sakrifikojnë pak nga fitimi tyre.

“Tani më është marrë vendimi për uljen e detyrimeve doganore për produktet e pastave dhe puresë së domates, të cilat duhet të kontribuojnë në uljen e çmimeve të këtyre produkteve. Janë duke u diskutuar dhe bërë analizat përfundimtare për produkte të caktuara që janë në sektorin e produkteve të qumështit. Nuk duam t’u bëjmë dëm prodhuesve, por të gjithë duhet të bashkojmë forcat dhe të ulim çmimet që qytetari të jetë më së paku i dëmtuari në këtë periudhë krize”, deklaroi Fatmir Bytyqi, Zëvendëskryeministër për çështjet ekonomike.

Sipas normave ligjore, për shkeljen e këtyre vendimeve gjobat do të jetë prej 800 deri në 1.000 euro për mikro-tregtarët, gjobë prej 1.600 deri në 2.000 euro për tregtarët e vegjël, gjobë prej 3.000 deri në 6.000 euro për tregtarë të mesëm, dhe gjoba prej 7.000 deri në 10.000 euro për tregtarë të mëdhenj. Për mos respektimin e ngrirjes së çmimeve të bukës Inspektorati i tregut tashmë ka shqiptuar dhjetëra gjoba. /Alsat.mk