Korridori 8 dhe 10-d pritet të ndërtohet brenda pesë viteve, do të kushtojë 1.3 miliardë euro

Afati po dihet, por jo edhe kostoja e saktë, megjithatë firmat u hodhën në marrëveshjen e shtetit me konzorciumin “Bektel-Enka”. Projekti për ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10-d është paraparë të jetë 1.3 miliardë euro, pa përfshirë edhe shpronësimet e tokave ku do të kalojnë trasetë. Periudha e ndërtimit është paraparë deri 2027. Për Qeverinë, edhe ky projekt është historik, madje më i madhi në infrastrukturën rrugore të vendit. Ministri i transportit dhe lidhjeve Bllagoj Boçvarski, tha se pagesa do të kryhet në disa faza, varësisht prej kryerjes së punimeve me matjen e materialit të investuar.

“Kjo nënkupton që pagesa do të kryhet sipas punëve të kryera në terren dhe në atë mënyrë do të ketë proces transparent për zbatimin e projektit dhe shpenzimit të mjeteve të së njëjtës. Me qëllim që ta përshpejtojmë ndërtimin e korridoreve nga zbatuesi do të punohet në principin planifikim-ndërtim që nënkupton sipas marrëveshjes zbatuesi obligohet vet ose me kompani projektuese vendore të projektoj dhe njëkohësisht të ndërtoj”, tha Bllagoj Boçvarski, Ministër i transportit dhe lidhjeve.

Edhe 300 milion euro të tjera, pritet të jetë kostoja e shpronësimit të pronave private ku do të shtrihen autostradat. 22 milion euro shtesë do të merr kompania IRD për mbikëqyrjen e zbatimit të punimeve.
Dinamika e punimeve do të jetë 23 km në çdo vit, e cila për 57 muaj do ndahen mjete nga 5 buxhete.

Puna në terren për ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10-d do të filloj nga gjysma e dytë e prillit e shtrirë në gjithsej 108,8 km autostradë ose sipas segmenteve, Korridori 8: Tetovë-Gostivar 17.5 km, periudha e zbatimit 33 muaj; Gostivar-Bukojçan – 30.3 km, periudha e zbatimit 57 muaj; Trebenishtë-Strugë-Qafë Thanë 21.7 km, periudha e zbatimit 49 muaj; Korridori 10-d segmenti Prilep-Manastir 39.3 km, dhe 57 muaj për periudhën e zbatimit. Përafërsisht për çdo kilometër autostradë do të kushtoj 14,9 milion euro. /Alsat.mk

“Me ndërtimin e këtyre autostradave përfundimisht lidhet rrjeti i korridoreve pan-evropiane 8 dhe 10-d nëpër Maqedoninë e Veriut. Financimi i këtij projekti bëhet nga para të buxhetit të shteti në tani më këtë vit nga Buxheti i 2023 janë ndarë 244 milion euro për të filluar punimet”, u shpreh Ejup Rrustemi, Drejtor i N.P. “Rrugët Shtetërore”.