Qeveria e Republikës së Maqedonisë së veriut sot (e martë, 7 mars) me propozim të Komitetit për Negociata për Ndërtimin e Korridorit 8 dhe 10D, i cili drejtohet nga zv.kryeministri Artan Grubi, ka miratuar kontratën për ndërtimin e Korridorit 8 dhe 10D.
Miratimi i kontratës për ndërtimin e Korridorit 8 dhe 10D vjen pas katër javëve negociata të cilat janë realizuar në mes të konsulentit për transaksion financiar të Qeverisë, IRD dhe konzorciumit ndërkombëtar Bechtel Enka.
“Ditë e madhe sot në Komitetin drejtues dhe në Qeveri ku shqyrtuam raportin e konsulentit tonë mbi negociatat me konzorciumin Bechtel Enka për ndërtimin e Korridorit 8 dhe 10-D si dhe miratim përmbajtjen dhe nënshkrimin e kontratës”, është shprehur Grubi. Ndryshe, Qeveria javë më parë miratoi konkluzionin e propozuar nga Komiteti për negociata, se ishin plotësuar të gjitha parakushtet për fillimin e negociatave dhe formimin e grupeve të punës mes Bechtel Enka dhe IRD, negociata të cilat zgjatën 28 ditë. Korridori 8 shtrihet në gjatësi prej 68 km, me autostradë me 6 korsi, nga Tetova në Gostivar, Kërçovë, përmes Strugës deri në Qafë Thanë, ndërsa Korridori 10-D nga Prilepi në Manastir shtrihet në gjatësi prej 40 km dhe realizohet me 6 korsi, në periudhë prej 3 viteve nga fillimi i punimeve.