Lajmi i mirë është se qeveria ka miratuar Planin e veprimit nga Dialogu strategjik me Uashingtonin, vlerëson analisti politik Petar Arsovski. Sipas tij, ky proces duhet të jetë aktiv, por dyshon se vendi do të përfitojë maksimumin nga ky dialog me SHBA-në, duke pasur parasysh përvojat e kaluara.
“Nuk jemi duke i shfrytëzuar të gjitha fondet IPA, të gjitha fondet IPARD, nuk besoj se do të arrijmë të përmbushim gjithçka nga Dialogu strategjik, por është e rëndësishme që kapaciteti i administratës të rritet nga viti në vit. Në këtë vit krize, nuk e di nëse do të arrijmë t’i rrisim kapacitetet e administratës për ta marrë të gjithë ndihmën, të cilat parashikohen paraprakisht nga Plani i veprimit dhe Dialogu strategjik”, tha Petar Arsovski– analist.
Plani i veprimit i përgatitur me partnerët u bë pjesë e programit të rregullt të qeverisë. Plani, ndër të tjera, parasheh mbështetje për diversifikim në sektorin energjetik, vizitë të investitorëve amerikanë, futjen e linjës direkte Shkup-Nju Jork, si dhe hyrjen në një program qëllimi përfundimtar i të cilit është regjimi pa viza në SHBA për qytetarët e Maqedonisë. Mirëpo, nga ajo që u theksua nga Qeveria, do të ketë aktivitete për luftimin e korrupsionit, përmes mbështetjes së gjyqësorit, dhe pritshmëritë e qytetarëve më së shumti ishin të drejtuara në këtë fushë. Sipas Arsovskit, zotimet e tilla do të realizohen përmes vullnetit të fortë politik dhe kapaciteteve të forta administrative.
“Shtetet e Bashkuara po bëjnë më shumë se zakonisht në Ballkanin Perëndimor për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin. Së pari, ata miratuan ligjin Magnitski, i cili u lejon atyre të vendosin njerëzit në të ashtuquajturat listën e zezë për korrupsion dhe krim të organizuar, gjë që nuk ishte më parë, lidhej vetëm me sigurinë e Shteteve të Bashkuara. Së dyti, ata janë shumë aktivë dhe tashmë kemi njoftime se njerëzit do të futen në listën e zezë, kështu që për momentin është më shumë se ajo që po bën Bashkimi Evropian”, shtoi ai.
Më herët, Ambasada Amerikane në vend ka theksuar se Dialogu Strategjik është mundësi e shkëlqyer për të forcuar të gjitha mënyrat në të cilat të dyja vendet punojnë së bashku si partnerë dhe se janë të kënaqur që autoritetet në Shkup po përparojnë drejt Planit të Veprimit për arritjen e qëllimeve të përbashkëta./Alsat.mk