Prodhuesi gjerman në bisedime për ndërtimin e një fabrike të tankeve në Ukrainë

Një prodhues gjerman i armëve thuhet se është në bisedime me zyrtarët ukrainas për ndërtimin e një fabrike tankesh brenda vendit të shkatërruar nga lufta.

Sipas faqes gjermane të lajmeve, Der Spiegel, Rheinmetall është duke negociuar me Kievin për të krijuar objektin e prodhimit, i cili do të prodhonte kryesisht tanke Panther, transmeton Telegrafi.

Shefi i kompanisë, Armin Papperger, i tha gazetës Rheinische Post se një fabrikë mund të ndërtohej për “rreth 200 milionë euro” dhe do të prodhonte deri në 400 tanke kryesore luftarake të tipit Panther në vit.

Papperger tha se bisedimet me qeverinë ukrainase janë “premtuese” dhe ai shpreson për një vendim në “dy muajt e ardhshëm”.

Ai theksoi gjithashtu nevojën e Ukrainës për armatim, duke i thënë gazetës se vendi kërkon “600 deri në 800 tanke për një fitore”.

Aleatët perëndimorë kanë grumbulluar tanke për Ukrainën prej muajsh tashmë, dhe tanket e para Leopard 2 kanë mbërritur nga Polonia në përvjetorin e një viti të luftës.