150,000 trupa ruse të vrarë, pretendon Ukraina

Më shumë se 150,000 trupa ruse janë vrarë deri më tani që nga fillimi i agresionit në shkurt të vitit 2022, pretendon ushtria e Ukrainës.

Në përditësimin e fundit ditor, Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës thotë se 150,605 personel rus janë vrarë deri më tani, shkruan SkyNews.

Sipas këtyre shifrave, rreth 715 u vranë vetëm ditën e kaluar.

Ukraina tha kohët e fundit se mesatarisht 824 trupa ruse vdisnin çdo ditë në shkurt – një shenjë e humbjeve të mëdha që forcat e Kremlinit po pësojnë në luftë.

Pjesa më e madhe supozohet të jetë në lindje, ku luftimet e ashpra vazhdojnë rreth qytetit Bakhmut dhe qytetit Vuhledar.

Të dënuarit e rekrutuar nga Grupi Wagner po dërgohen me trajnim dhe pajisje të dobëta dhe po vdesin në një numër të madh.

Forcat ukrainase janë mbajtur në Bakhmut për muaj të tërë, nën sulme të pamëshirshme.

Megjithatë, thuhet se situata është duke u përkeqësuar dhe ka diskutime nëse dhe kur Ukraina do të tërheqë ushtarët e saj.

Gjeneralkoloneli Oleksandr Syrskyi, komandanti i forcave tokësore të Ukrainës, tha në fillim të kësaj jave se situata rreth Bakhmut ishte “jashtëzakonisht e tensionuar”.

“Megjithë humbjet e konsiderueshme, armiku hodhi njësitë më të përgatitura të sulmit të Wagner, të cilët po përpiqen të thyejnë mbrojtjen e trupave tona dhe të rrethojnë qytetin”, shtoi ai.