Buka e bardhë dhe gjysmë e bardhë me çmim deri në 33 denarë

Buka nga e marta nuk do të shitet më shtrenjtë se 33 denarë. Autoritetet vendosën tа ngrijnë çmimin. Një hap i tillë vjen pasi një numër i madh i kompanive nuk  e ulën çmimin e bukës edhe pse marrin energji elektrike të subvencionuar.

“Ky është vetëm hapi i parë. Vendimet e duhura do të pasojnë edhe për produktet e tjera. Nuk do t’i lë qytetarët të paguajnë çmime më të larta se ç’është reale, sidomos për produktet ushqimore bazë”, tha Kreshnik Bekteshi, ministër i ekonomisë.

Bekteshi thotë se ka kompani që e kanë ulur çmimin e bukës, por në kurriz të kësaj kanë ulur edhe peshën, kështu që sasia për bukën e bardhë dhe gjysmë të bardhë do të përcaktohet në 450 gramë. Lidhur me njoftimet e disa kompanive të industrisë ushqimore se do të ndërpresin punën nëse qeveria tërheq masën për subvencionimin e energjisë elektrike, Bekteshi tha:

“Më mirë të mbyllen se sa dëmi të jetë në kurriz të qytetarëve. Nuk na duhen kompani të tilla që do të kenë çmime prej 40-45 denarë për 450 gram bukë të bardhë dhe gjysmë të bardhë. Ata janë të lirë ti mbyllin dhe përveç kësaj, nuk do të ketë masa të reja për ta. T’ua paguajmë punëtorët dhe materialet e para dhe të gjitha shpenzimet operative, dhe ata ta marrin fitimin?!”, shtoi ai.

Ndryshe, masa për energji elektrike të subvencionuar, e cila nuk dha rezultatet e dëshiruara, i kushton shtetit pesëqind mijë euro në muaj. Bekteshi bën të ditur se masa do të shfuqizohet për të gjitha kompanitë, por në varësi të rregullores, për momentin nuk dihet nëse kjo do të ndodhë nga 1 marsi apo nga 1 prilli. Paratë e parashikuara do të ripërdoren dhe ministri tregoi si shembull, se me një pjesë të këtyre mjeteve shteti do të mbulojë doganat për importin e brumërave, që të ulen çmimet e makaronave./Alsat.mk