Subvencione për kompanitë ajrore, fluturimet për Shkup 7, për Ohër 4.5 euro

Shteti do të shpenzojë pesë milionë euro për të subvencionuar linjat e reja ajrore me kosto të ulët për periudhën 2023-2025. Në fillim të muajit mars do të publikohet shpallja e re për subvencione pasi i mëparshmi u anulua për shkak të dokumentacionit jo të plotë, në të cilin aplikuan tre kompani ajrore. Ministri i Transportit dhe Lidhjeve thotë se kushtet mbeten të njëjta. Shtatë euro për pasagjer për Shkupin dhe 4,5 euro për pasagjer subvencione shtetërore për kompanitë që fluturojnë drejt aeroportit të Ohrit.

“Pres që të hapim destinacione të reja dhe mundësi të reja për qytetarët. Ne nuk do të qëndrojmë në zgjedhjen e një kompanie, por interesi ynë është që të hyjnë më shumë kompani në trafikun ajror”, deklaroi Bllagoj Boçvarski, ministër i Transportit.

Ndërkaq, aeroporti i Ohrit ende nuk është shfrytëzuar sa duhet, ndërsa numri i linjave ajrore që fluturojnë është shumë i vogël. Jashtë sezonit turistik, nga ky aeroport operojnë vetëm disa kompani.

“Vendosja e destinacioneve të reja është brenda interesave të transportuesve komercial. Nuk mund t’i detyroni me dekret të hapin linja ajrore”, tha Tomisllav Tuntev, drejtor i Agjencisë së Aviacionit Civil.

Qeveria paralajmëron se këtë vit do të fillojë ndërtimi i terminalit të ri në aeroportin e Ohrit. Ndërkaq, sot në Ohër, Agjencitë e aviacionit civil të Maqedonisë, Serbisë, Sllovenisë dhe Malit të Zi nënshkruan marrëveshje për kërkim-shpëtim, në kuadër të bashkëpunimit të përbashkët të vendeve të rajonit në aviacionin civil. /Alsat.mk