Mbi 8.000 civilë të vrarë janë regjistruar në Ukrainë që kur Rusia nisi pushtimin pothuajse një vit më parë, tha zyra për të Drejtat e Njeriut në Kombet e Bashkuara, transmeton Radio Evropa e Lirë (REL).
OKB tha se kjo shifër është vetëm “maja e ajsbergut” pasi besohet se mijëra të tjerë kanë vdekur.
Kjo shifër është më e lartë krahasuar me shifrat e paraqitura më herët nga OKB lidhur me numrin e viktimave të konfirmuara në mesin e civilëve që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës më 24 shkurt 2022. Rreth 90 për qind e viktimave, sipas OKB-së, janë vrarë nga armët shpërthyese.
“Të dhënat tona janë vetëm maja e ajsbergut. Vuajtjet e civilëve janë të mëdha”, tha komisionari i lartë për të Drejtat e Njeriut, Volker Turk.
Matlida Bigner, drejtuesja e misionit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut në Ukrainë, tha se beson që mijëra vrasje të civilëve ende nuk janë konfirmuar, shumica prej të cilëve në qytetin jugor ukrainas të Mariupolit, që tani është nën kontrollin rus.
Në shifrat e prezantuara nga OKB-ja janë përfshirë edhe 2.000 civilë të vrarë në Mariupol, i cili para luftës ishte shtëpi e rreth 450.000 milionë banorëve. Ky qytet ishte i rrethuar për tre muaj dhe ka pësuar shkatërrime të mëdha.
“Ne kemi informacione të pakonfirmuara që lënë të kuptohet se numrat janë për mijëra më të lartë sesa që ne kemi dokumentuar dhe një pjesë e madhe e tyre janë në Mariupol”, tha Bogner.
Rusia mohon se qëllimisht shënjestron civilët në pushtimin e Ukrainës, që Moska e quan “operacion të posaçëm ushtarak”.